141 investitorë të huaj janë larguar vetëm gjatë vitit të shkuar, ndërsa biznesmenët shprehen të shqetësuar për klimën e krijuar. Në një studim të posaçëm ata shprehen se krijimi i situatave monopol dhe mungesa e konkurrencës së lirë po krijon një situatë të vështirë për ta. Shqetësimet e dala nga një sondazh mes investitorëve të huaj janë pranuar dhe nga Ministria e Financave.

Klima e të bërit biznes në Shqipëri mbetet e vështirë. Shoqata e Investitorëve  të Huaj ka bërë një vëzhgim për vitin 2019, ku rezulton se në pjesën e parë të këtij viti situata nuk ka qenë pozitive.

Pengesë kryesore rezulton të jetë krijimi i monopoleve dhe konkurrenca e pandershme, korrupsioni, burokracitë qeveritare dhe ekonomia informale.

Investitorët e huaj kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian, që operojnë në vendin tonë, kanë një perceptim negativ sidomos për situatën politike.

Këto probleme janë pranuar edhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, e cila u shpreh se objektiv i qeverisë mbetet lufta ndaj informalitetit.

Denaj: Disa nga përceptimet janë të drejta, të cilat kryesisht ndikojnë në klimën e biznesit dhe konkurrencën e ndershme. Kush është shqetësimi i tyre kryesisht? Që rregullat e lojës të jenë të qarta dhe informaliteti të ulet. Ky është dhe objektivi jonë prandaj dhe gjetëm një dialog të mirë.

Vetëm pak ditë më parë INSTAT publikoi të dhënat të cilat tregojnë se investitorët evropianë mbyllën aktivitetet dhe u larguan nga Shqipëria. 

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2018 kanë mbyllur aktivitetin në vendin tonë 141 ndërmarrje që u përkasin investitorëve të huaj. 

Në total në vendin tonë gjatë 2018 numëroheshin 6.259 biznese aktive me pronësi të huaj, nga të cilat 4056 ishin nga vendet e Bashkimit Europian.

 

/Ora News.tv/