Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka denoncuar atë që e quan situatë të rëndë politike para përfaqësuesve të Insititutit Demokrat Amerikan (NDI) të cilët ndodhen në Tiranë

 “Ndërlidhja e krimit me politikën rrezikon të kompromentojë rëndë gjithçka ka arritur Shqipëria në këto vite, si edhe të asgjesojë çdo reformë për zhvillimin e vendit”- mësohet të ketë thënë Basha në takimin me delegacionin e NDI, i drejtuar nga Robert Benjamin, Drejtor për Europën Qendrore dhe Lindore, informon zyra e shtypit e PD-së.

Gjithashtu mësohet se Kryetari i PD ka theksuar se zgjidhja për këtë situatë të rëndë politike është krijimi i një qeverie antimafia për të bërë të mundur çmontimin e sistemit mafioz politik të ngritur mbi blerjen e votës.

“Për këtë qëllim - tha Basha – zbatimi i identifikimit biometrik dhe votimit elektronik, si dhe kontrolli i financimit të rreptë të partive, është domosdoshmëri jetike për zgjedhje sipas standardeve demokratike”.

Delegacioni i NDI-së është në Tiranë për t’u ofruar partive politike asistencë për transparencën, menaxhimin dhe mbikqyrjen financiare.

Basha gjithashtu ka shprehur shqetësimin e përdorimit të parave të pista në fushatë, "siç është faktuar nga përgjimet e antimafias italiane se Saimir Tahiri shpenzoi 20 milionë euro, të ardhura nga trafiku i drogës, për fushatën e PS-së në Tiranë në zgjedhjet e fundit." thuhet në njoftimin e PD-së. 

Njoftimi mbyllet duke shkruar se Përfaqësuesit e Institutit Demokrat Amerikan e vlerësuan shqetësuese situatën në Shqipëri dhe treguan gatishmëri për të dhënë mbështetje duke përshtatur eksperiencat më të mira ndërkombëtare në problematika të ngjashme.

/Ora News.tv/