(Në grupin komplotist zbulohen se janë përfshirë: Edi Rama, Lulzim Basha, Ilir Meta, Lindita Nikolla, Fatjona Dhimitri, Erion Braçe dhe dhjetra të tjerë)

Në datën 9 gusht 2019, Presidenti i Republikës z. Ilir Meta nxorri dekretin me anë të të cilit ai rikthen përsëri në Kuvend Ligjin e miratuar nga Kuvendi në datën 18 korrik për gjoja reformimin e Akademisësë Shkencave. Arsyet ligjore të plota që jep dekreti i Presidentit të Repubikës tregojnë pakundërshtueshmërisht se ligja në fjalë në shumë nene e formulime nuk është fare në përputhje me legjislacionin në fuqi, tenton të shkeli rëndë autonominë e universiteteve dhe bie në kundërshtim flagrant me vetë Kushtetutën e vendit.
Po ky pyesin ata që janë mosdrejtuesit e Akademisë së Shkencave!!! 
Kryesia e paligjshme e saj hidhet përpjetë në sharje dhe sulme personale ndaj Presidentit të republikës si për inat të refuzimit në krye të Akademisë të një politikani me 30 e ca vjet në politikë dhe që nuk ka lidhje as me kërkimin shkencor dhe as me botimet shkencore së paku prej tri dekadash, ashtu edhe sepse zoti President u bë zëri i të gjithë vërejtjeve dhe kritikave që bota shkencore, e padëgjuar nga kryesia e akademisë së shkencave, për të formuluar në të drejtë të ushtrimit të kompetencave të tija kushtetuese refuzimin e ligjit për akademinë e shkencave si një ligj që bie ndesh, veç të tjerash, me juridiksionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe që tenton të vjedhë, plaçkisë liritë universitare dhe të kërkimit shkencor në favor të një politike të mbrapshtë flamurin e grrisur të së cilës duan t’a mbajnë disa donkishotër të privilegjuar dhe sanço pançat e tyre!
Menjëherë në ndonjë televizion mik, përfaqësuesit jolegjitimë të akademisë shkencave gjetën dhe deklaruan me këtë rast jo pak por shumë armiq të brendshëm dhe të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe madje grupe konspiracioniste që paskan kapur edhe Presidentin e Republikës për të dëmtuar e penguar Akademinë e Shkencave në punën e saj kaq të frytshme dhe në hopin e madh që ajo do të bënte me anë të këtij ligji!!!
Kush na kundërshton, kush na nxjerr të metat në shesh, kush na thotë të vërtetën në sy është pjesë e një konspiracioni kundër nesh!!! 
Kjo është logjika e mbrapshtë e atij institucioni, i cili ka vite, në mos dekada, që është futur në një autizëm institucional që vetë flet vetë dëgjon, çfarë thotë sot nuk thotë nesër, dhe është mbyllur pikërisht sikurse thotë dekreti presidencial në mentalitetin për të akomoduar interesa të ngushta personash të veçantë edhe duke marrë nëpër këmbë ligjin, drejtësinë dhe vetë institucionin.
Tani konspiracioni së fundmi u gjend, si në rastin e refuzimit nga presidenti të një emërimi të paligjshëm në detyrën e kryetarit të akademisë të një politikani prej tri dekadash, në zyrat e Presidentit të Republikës. Aty janë fijet e komplotistëve që kanë thurrur plane armiqësore ndaj Akademisë së Shkencave!
E kam për detyrë ta sqaroj lexuesin dhe opinionin e gjerë publik se ky avaz i drejtuesve të Akademisë së Shkencave që vuajnë nga autizmi institucional nuk është hera e parë që shfaqet. Eshtë një vazhdë e gjatë me shumë episode të cilat kur i njeh, e kupton se kjo akademi shkencash ka bllokuar cdo reflektim mbi gjendjen ku e kanë katandisur katër a pesë vetë, është refraktare ndaj cdo përpjekje për ta reformuar sepse ruan me fanatizëm privilegje të pamerituara materialë madje edhe fsheh gjëra të rënda të cilat përpiqet me çdo kusht të mos dalin në dritë. Sepse kuptohet, po të mos ishin këta faktorë askush nuk do të lidhej pas këmbëve të kolltuqeve të akademisë së shkencave duke u bërë njësh me ta. 
Meqë Presidenti i Republikës u shpall nga akademia e shkencave si personi ku fijëzimet e një konspiracioni politik vijnë e bëhen nyje, po i ndihmoj në kujtesën e tyre për të parë se kush janë këta bashkëpuntorë komplotistë me Presidentin e Rrepublikës dhe çfarë synojnë ata!
Po jap raste të ndryshme për ta kuptuar se qendrimi i akademisë së shkencave ndaj dekretit të fundit presidencial është strategjia dhe teknika e saj për t’i rrezistuar reformës dhe ndryshimit. 
1. Aty nga fillimi i muajit shtator 2017, Akademia e Shkencave organizon një palë zgjedhje për kryetar e nënkryetar të saj, të cilat u kryen pa alternativa, pa programe, pa synime reformimi, pa kandidatë rivalë dhe si rezultat nxorrën si produkt ku nënkryetari bëhej kryetar dhe kryetari bëhej nënkryetar. Zgjedhje tërësisht farsë që unë i denoncova publikisht, dhe pas meje, i denoncoi asokohe edhe kryeministri Edi Rama. Zgjedhjet megjithatë u bënë dhe kryetari e nënkryetari, të pandjeshëm ndaj kritikave, u votuan me më shumë se 90 përqind të votave. Zili do t’i kishte me këtë rezultat çdo diktator i ndonjë vendi afrikan!
Po të shihni video emisionesh televizive të asaj kohe do të vëreni se kritikët ndaj këtyre zgjedhjeve u vunë në shenjestër duke u përbaltur nga akademia e shkencave dhe kryesa e saj. Kjo e fundit nuk la oficer a ushtar të saj pa mobilizuar për të hedhur baltë ndaj çdokujt që kërkonte reformimin e akademisë së shkencaave. 
Por, kur e panë se mund të mbeteshin pa buxhet, kryetari dhe nënkryetari ikën dhe e lanë akademinë e shkencave jetime në mes të rrugës, ashtu sikurse kishin bërë deri atëhere duke e sjellë këtë institucion deri në atë pikë. Duke e parë pisk, po ajo asamble që dy muaj më parë kishte votuar gati 100 përqind kundër reformimit dhe për vazhdimësinë e paluejtshme të saj, e mbledhur me nxitim në datën 31 tetor 2017, deklaron se ishte për një reformim tërësor të sistemin shkencor dhe të vetë akademisë së shkencave.
Litari ishte mbledhur!
Shiheni janë të njejtët akademikë që të manipuluar nga drejtues të paaftës, brenda dy muajve bëjnë dy votime të kundërta me njeri tjetrin dhe në cdo rast votojnë mbi 90 përqind pro të dy qendrimeve kontradiktore. Po ajo akademi shkencash që në 4 shtator 2017 do të votonte kundër reformimit, në 31 tetor 2017, në gjendje urgjence, do të votonte 100 përqind për reformimin, sikurse e shpall këtë qendrim të ri në vendimin e mbledhjes së asamblesë të asaj date ku akademikët, e lënë mënjanë teorinë konspiracioniste dhe marrin ”angazhimin e plotë dhe ekspertizën për kryerjen e reformës institucionale të kërkimit shkencor në vend dhe si pjesë e saj reformimin e Akademisë së Shkencave.”
Nga dega më degë!
2. Po në këtë mbledhje, asambleja e akademisë së shkencave shpall se do të bashkëpunojë me qeverinë e “Shkëlqesisë së Tij z. Edi Rama” (sikurse shkruajnë me plot servilizëm), me ministrinë e arsimit, etj., për të bërë reformën! Mirëpo në ato kohë z. Edi Rama, duhet ta pranojmë, kishte mendime të avancuara për reformën në akademinë e shkencave. 
Kujdes nuk është z. ILIR Meta i sotëm si President që fliste në atë kohë, ishte vetë z. Edi Rama si kryeministër atëhere dhe sot!!! Cfarë iu thotë akademikëve të mbledhur në sallë Edi Rama? Lexojeni : U kërkon as më shumë e as më pak por që ta rithemelojnë akademinë e shkencave sepse ajo sipas tij ishte kthyer në një agjenci shpërndarjesh pensionesh!!!
Ballëpërballë me akademikët, pasi i kishte ftuar në zyrat e e kryeministrisë, kryeministri u thotë në sy se institucioni i tyre ishte prej kohësh thjesht një zyrë pensionesh pleqërie, një bashkësi ku kishte edhe doktorë shkencash pothuajse analfabet dhe që nuk e meritonin fare të ishin atje!!!
O konspiracionisti Edi Rama!!! 
O bashkëpuntori i konspiracionistit z. Ilir Meta!!!
Ti qenke origjina e atij komploti që tani po e vazhdon kryetarja e komisionit të edukimit dhe mediave zonja Fatjona Dhimitri, që e ka zhvilluar në rrugën e vet partia demokratike me z. Lulzim Basha në deklaratat kundër zgjedhjeve farsë në akademinë e shkencave, dhe tani e vazhdon z. Ilir Meta!!!
Ja ku janë grupet konspiracioniste nga fillimi deri në fund!
Dëshëroni ta dini se cfarë thoshte z. Edi Rama në nëndor të vitit të largët 2017 për akademinë e shkencave? 
Përpara sesa ta citojmë theksojmë se në fakt ai asnjëherë nuk është tërhequr nga ato fjalë, por ka heshtur!
Konspiracionist i vërtetë!!! 
Ja fjalët e tij atëhere, që fatkeqësisht ai duket se nuk dëshiron më t’ja kujtojë njeri : “Pyetja shumë e thjeshtë – thoshte z. Edi Rama në atë mot – që ngrihet është, cfarë duam ne nga kjo Akademi dhe çfarë i shërben sot vendit të ketë si rezultat i rithemelimit të këtij institucioni... Sot ..., ne kemi një shërbim social pëer njerëzit e shkencës. Ky është shërbim social me pensione, me honorare, për një grup njerëzish që kanë meritat e tyre në fushat përkatëse, ku – le ta themi të vërtetën deri në fund, - është përzjerë i njomi me të thatin dhe në krah të një profesori të nderuar mund të jetë një “kuazi analfabet”, që ka ardhur aty dhe ka të njejtin vend, të njejtën peshë, me një titull doktor që nuk dihet si e ka marrë. Ne nuk mund të vazhdojmë ta mbajmë në këmbë këtë shërbim social.”
O konspiracionisti Edi Rama!
O konspiracionisti Ilir Meta! 
3. Akademia e Shkencave ushtroi një presion të fortë në zyrën e ministres së atëhershme të arsimit, zonjës Lindita Nikolla, që në komisionin e reformimit të akademisë së shkencave të mos kishte asnjë armik të brendshëm dhe të jashtëm në gjirin e tij. “Ne duam ta ruajmë të pastër nga armiqtë akademinë e shkencave!”
Autizmi akademik arrin një nga kulmet e veta të mëdha. Në komisionin e reformës do të ishin vetëm antarë të akademisë së shkencave dhe asnjë kërkues shkencor jashtë saj, asnjë profesor universiteti, asnjë ekspert i huaj, asnjë shkencëtarë shqiptar jashtë vendit, askush tjetër pra! Ne që e kemi sjellë akademinë e shkencave në këtë pikë kalbëzimi, jemi ne që do ta bëjmë reformimin e saj!
E gjora ministre, e mirësjellë dhe me plot dashamirësi për akademikët, ndonjërin madje edhe ish pedagog të saj, firmos një komision me antarë të gjithë akademikë, me përjashtim të një ish zëvendësiministri që sigurisht kurrë nuk u angazhua në këtë proces a thua se e dinte se ishte aty vetëm për të tundur derën! 
Pra akademia e shkencave vazhdoi në paradokset e veta logjike sepse nga njera kërkonte bashkëpunim për reformimin e saj me universitarë dhe kërkues shkencorë jashtë saj, kurse më anë tjetër, në komisionin e reformimit, atje ku luhej loja dhe nuk bëheshin llogje, kujdesej që të mos kishte asnjë konspirator, më falni, asnjë anëtar jashtë saj.
Nuk e besoni? Ja komisioni që firmos ministrja me urdhërin e saj të 16 janarit 2018: 
Skënder Gjinushi kryetar
Ervin Demo nënkryetar
Luan Omari anëtar
Apollon Baçe anëtar
Beqir Meta anëtar
Kosta Bajraba anëtar
Shaban Sinani anëtar
Të gjithë antarë të asamblesë nga ata që dy a tre muaj më parë kishin votuar me gaz e hare që kryetari të bëhej nënkryetar dhe nënkryetari të bëhej kryetar, pra zgjedhje farsë, sikurse i përcaktonte me të drejtë ish konspiracionisti kryesor z. Edi Rama!!!
4. Aty nga fundi i vitit 2018 dhe muajt e parë të vitit 2019, ministrja e arsimit, konform strategjisë së reformimit të akademisë së shkencave nis një konsultim masiv me universitarë, pedagogë, profesorë, doktorë shkencash, etj., lidhur me projektligjin që kishte përgatitur akademia e shkencave gjoja për reformimin e saj. Dokumenti u dërgua pa përzgjedhje të gjitha universiteteve për të dhënë mendimin e tyre!
Por e gjitha kjo nuk tregoi veçse fijet shumë të gjëra të konspiracionit kundër Akademisë së Shkencave!!! Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm vepronin kundër kështjellës së vetme të mendimit totalitar! Kjo u vërtetua sepse sipas uzurpatorëve të akademisë së shkencave dhjetra e dhjetra departamente, pedagogë, kishin firmosur me emër dhe mbiemër për ta hedhur në koshin e plehrave projektligjin për akademinë e shkencave, që sot në formën e ligjit e refuzon edhe z. Ilir Meta, President i Republikës! 
Pse nuk ka edhe presidenta republike, prokurorë, kryeministra dhe deputetë që kanë qenë konspiracionistë! Nuk ka zbuluar të tillë partia sa të duash!!!
Rektorët i bëjnë vërejtje të rënda ligjit për akademinë e shkencave në komisionin e edukimit dhe mediave të Kuvendit? Janë edhe ata pjesë e konspiracionit!
Profesorë dhe departamente ngrenë zërin se ai ligj tenton të shkelë mbi autonominë universitare? Janë konspiracionistë edhe ata!
Të gjitha do t’i gjeni si qendrime kritike që faktojnë konspiracionin e madh kundër Akademisë së Shkencave në materialin që zëvendësministri i arësimit, z. Redi Shtino, i dërgon Kuvendit me kërkesë të zonjës Fatjona Dhimitri! 
Kush e ka firmosur këtë dokument zyrtar ku në mënyrë krejt korrekte janë vendosur të gjitha ato opinione profesorësh dhe departamentesh, të cilët e konsideronin përmbajtjen e këtij ligji të gatuar shpejt e shpejt në zyrat e akademisë së shkencave si krejt të papranueshme?
Redi Shtino? 
Edhe zëvendësministri i arësimit z. Redi Shtino qenka në të njejtin grup konspiracionist si Edi Rama, Lindita Nikolla, Fatjona Dhimitri, si rektorët, profesorët, madje edhe si dhjetra profesorë universitetesh që të mbledhur në 31 korrik 2019 për të dëgjuar kritika mbi këtë ligj, ranë në një mendje se ai është thjesht një pacavure e paligjshme!
Ja ku qenka origjina e këtij komploti të madh kundër akademisë së shkencave që zanafilloka nga z. Edi Rama, z. Redi Shtino dhe mbaroka te z. Ilir Meta!
5. Por, fijet e komplotit nuk mbarokan me kaq. Ato shtrihen në universitete, në akademi, në kabinete personalitete zyrtarësh të lartë, në rrethe familjare okulte, madje edhe në aparatin e kryeministrisë dhe madje deri lart në qeveri! 
Një komplot i madh kundër treshesh që ka kapur drejtimin e akademisë së shkencave dhe i mban frymën asaj, duket se në komplot janë përfshirë edhe sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë Ëngjëll Agaçi, madje edhe vetë zëvendëskryeministri Erion Braçe.
Po këta të dy si mund të jenë implikuar në këtë komplot konspiracionist përballë të cilit ai kundër Presidentit Erdogan u dukërka si një lojë e thjeshtë fëmijësh? 
Në shkresën e datës 19 qershor 2019, firmosur nga zëvendëskryeministri z. Erion Braçe dhe dërguar Kuvendit nga z. Ëngjëll Agaçi, lidhur me ligjin e e akademisë së shkencave për reformimin e vetvetes, bëhen dhjetra vërejtje derisa arrihet edhe në konstatime thikëmprehta e shkatërrimtare si ky: ” Për sa i përket propozimit për metoda e kritere për matjen e vlerësimin objektiv të cilësisë dhe të kontributeve në procesin e kërkimit shkencor që mund të bëjë Akademia e Shkencave, duhet të saktësohet se cilës strukturë përgjegjëse kjo akademi mund t’ia bëjë këto propozime.” Me një fjalë konspiracionisti Erion Braçe godet me mjetet e tija akademinë e shkkencave duke i treguar se mirë që ajo pretendonte se do të propozoheshin metoda kërkimore por kush do t’a dëgjonte, pra ku do t’i dërgonte sepse institucionet e kërkimit shkencor janë të lira dhe nuk kanë nevojë për to !!!
Dhjetra vërejtje! Duket sikur pikat kritike të dekretit të z. Ilir Meta dhe pikat kritike të dokumentit të firmosur nga z. Erion Braçe janë krejtësisht të ngjashme, ose ngjajnë së paku si dy pika shiu!!!
Mos janë të lidhur me lidhje të fshehta konspiracioniste kundër akademisë së shkencave Ilir Meta, Edi Rama, Erion Braçe, Redi Shtino, Lindita Nikolla, Lulzim Basha, dhe armiku i brendshëm një farë Artan Fuga? 
Se ndryshe nuk ka si shpjegohet i gjithë ky front që edhe kur ne si akademi e shkencave ja shkëpusim ministrisë së arësimit këtë projektligj nga dora dhe nëpërmjet një deputeteje që është dora jonë e dërgojmë në Kuvend, te njeriu ynë atje, këta tipa na nxjerrin avaze, na vendosin shkopinj në rrota!
6. Dekreti i Presidentit që refuzon ta kalojë ligjin për akademinë e shkencave dhe e rikthen atë në Kuvend?
Për akademinë e shkencave, ajo është hallka e fundit e këtij komploti të madh, e këtij konspiracioni gjigand. Sepse nuk ka sesi shpjegohet ndryshe! Të njejtat vërejtje në thelb janë shprehur në vijim të këtij procesi nga të gjithë njerëzit që janë përfshirë në këto grupe armiqësore, dhe që tani kulmojmë me dekretin presidencial, i cili i paraprirë nga dhjetra profesorë universitetesh, gjykon edhe ai se ligja në fjalë, qenka në kundërshtim me Kushtetutën me ligjin për arsim e shkencë si edhe me kodin e punës! 
Listë e gjatë me konspiracionistë dhe grupazhe politike që vazhdojnë të njejtin komplot të madh!
Problemi nuk është tek këto nene që përmenden! Puna është se po të hiqen ato nene si joligjore, akademisë së shkencave nuk i mbetet asgjë për të bërë. Sepse të mbyllur brenda vetvetes, autistë institucionalë, në konflikt flagrant interesi, të zënë ngushtë me një histori dështimesh dhe shkeljesh, është e vështirë të prodhohet një dokument ligjor që të bëjë reformim të vërtetë! Ky reformim do të nxirrte shumë ujë të zi nga ajo ndërtesë!
Dhe një ditë dita do të vijë!

/Ora News.tv/