Një ngjarje thuajse e pazakontë ka ndodhur në fshatin German të Matit. Banesa e një 68-vjeçareje është qëlluar me armë ditën e djeshme, duke u dëmtuar pjesërisht. 

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka konstatuar një vrimë në pjesën e jashtme të ndërtesës si dhe disa gëzhoja automatiku.

Policia thotë në njoftim se ngjarja dyshohet të jetë shkaktuar nga vetë banorët e banesës me qëllim që të përfitojnë azil në një vend evropian, ku edhe kanë qenë më parë.

Njoftimi: 

Më datë 08.02.2017, rreth orës 10:30,  është marrë informacion se  në fshatin German, Njësia Administrative Komsi, Bashkia Mat, është dëmtuar muri i banesës së shtetases M.B, 68 vjeçe.

Nga veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar një vrimë në murin e kësaj banese, e cila dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.

Në rrugicën përballë me banesën u gjetën dy gëzhoja automatiku model 56.

Dyshohet se kjo ngjarje ka qenë stimul nga vetë të dëmtuarit me qëllim përfitim të azilit në një shtet të huaj, ku kjo shtetase ka jetuar si azilante dhe është kthyer në vendin tonë.

Po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Materialet do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Mat, për veprën penale "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".

/Ora News.tv/