Policia ndërmerr një operacion të gjerë kontrolli në të gjithë territorin e Lezhës, duke vënë në pranga ndër të tjera dy persona të shpallur në kërkim për shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje.

Në kuadër të operacionit me emrin "Qarku", u arrestua një 23 vjeçar i dënuar nga gjykata italiane me 20 vite. 

"U arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimi, shtetasi Erikson Tetaj, 23 vjeç, banues në Lezhë. Gjykata Monza Itali e ka dënuar me 20 vite burg për veprat penale "Shfrytëzim prostitucioni" dhe "Trafikim i lëndëve narkotike", kryer në bashkëpunim. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë", njofton Policia Lezhë.

Po në pranga është vendosur edhe shtetasi me inicale E.N, 22 vjeç, akuzuar për vjedhje.

"Ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes së dyqanit të shtetases B.K., në Laç, ndodhur më 10 korrik 2019, ku ka vjedhur mallra dhe vlera monetare".

Në vijim të operacionit të policisë, janë vendosur në pranga edhe dy shtetas, B. P., 28 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale "Armëmbajtja pa leje" si edhe është proceduar penalisht shtetasi E.Sh, 32 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".

/Ora News.tv/