Pushteti dhe opozita, pa konsensus për dialogun

Pushteti dhe opozita, pa konsensus për dialogun

Pavarësisht paralajmërimeve se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel po hyn në fazën e fundit, ku siç është thënë do të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht obligative, spektri politik në Kosovë ende nuk është pran një konsensusi se si duhet qasur kësaj faze të dialogut. Për më shumë, vazhdojnë kundërshtimet e partive në pushtet dhe atyre në opozitë, për parakushtet lidhur me arritjen e një konsensusi për dialogun.

Në takimet e përbashkëta të partive politike, të cilat deri më tash kanë organizuar dy tryeza, me qëllim të arritjes së konsensusit për temat e rëndësisë kombëtare, është thënë se një nga këto tema është edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në favor të arritjes së një konsensusi për këtë temë janë shprehur shumica e partive politike parlamentare, por ende nuk ka ndonjë dialog të brendshëm ndërmjet këtyre partive se si do ti qasen finales së dialogut në Bruksel.

Zenun Pajaziti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, subjekt ky më i madhi brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e dialogut me Serbinë, nga spektri politik është duke u kuptuar si çështje që duhet shqyrtuar nga të gjitha partitë politike.

“Çështja e dialogut nuk është vetëm tash. Ka qenë më parëopozita më agresive në këtë drejtim. Mendoj që nga ajo që shihen tash, do të ketë një seriozitet më të madh dhe mendoj që është koha e fundit kur interesat e vendit nuk mund të rrezikohen përmes agjendave politike, elektorale, partiake etj. Mendoj që edhe elektorati tashmë është i interesuar që të mos ua falë partive politike që të krijojnë kauza për pushtet dhe në dëm të interesave të vendit”, tha Pajaziti.

Avdullah Hoti, shef i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson që para se të bisedohet për një konsensus lidhur me qasjen ndaj fazës së fundit të dialogut në Bruksel, si dhe temave tjera, siç i quan ai, të mëdha, paraprakisht duhet arritur pajtim ndërmjet partive politike për siç thotë ai, krizën institucionale. Sipas tij, partitë në pushtet nuk i kanë shumicën e votave në Kuvend.

“Është e rëndësishme që spektri politik të pajtohet për këto tema. Ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në këto tema. Por, çështja fundamentale është që dialogu në Bruksel nuk mund të udhëhiqet nga qeveria e pakicës. Duhet shumicë parlamentare solide, për të quar parapara proceset e rëndësishme në vend”, tha Hoti.

Deputeti Pajaziti thekson që dialogu në Bruksel nuk ndërlidhet me dëshirat e partive politike në përgjithësi, por është proces, përmes të cilit Kosova po përpiqet ti arrijë interesat e veta.

“Ajo që duhet të thuhet - edhe nëse ne pajtohemi të gjithë për dialogun - nuk është se dikush mundet t’i bishtnoj përgjegjësive që i ka, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Të gjithë duhet t’i marrim përgjegjësitë tona dhe të ecim përpara. Nuk mundet që për interesa të tashme partiake apo grupore, të lëmë diçka që mund të mbetet peng, për më tutje, për gjeneratën tjetër. Besoj që është e pafalshme”, theksoi Pajaziti.

Por, Hoti thekson që Kosova është shtet parlamentar dhe mbi këtë bazë duhet edhe të zgjidhen situatat, por edhe të arrihen konsensuset lidhur me temat e rëndësishme.

“Shteti jonë ka sistem parlamentar, që i bie se shumica parlamentare e zgjedhë qeverinë. Nëse një qeveri nuk e ka shumicën parlamentare, ajo nuk mund të flas në emër të qytetarëve të Kosovës. Kjo është esenciale. Pra, ne nuk mund ta mandatojmë kurrfarë qeverie, e cila nuk e ka shumicën në Kuvend. Ne jemi tash opozitë dhe jemi sjellë dhe gjithmonë do të sillemi në mënyrë konstruktive, në interes të shtetit. Por, nuk mund ta autorizosh qeverinë e pakicës që të flas në emër të shumicës, që tash është në opozitë në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Hoti.

Qeveria e Kosovës tashmë e ka dërguar në Komisionin parlamentar për politikë të jashtme një projekt - platformë për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. Por Kryesia e Kuvendit megjithatë ende nuk ka vendosur se kur eventualisht kjo platformë do të vihet për diskutim para deputetëve, në njërën prej seancave të radhës. /REL


EMISIONET