Përgjatë këtyre viteve të kaosit post-diktatorial shqiptarët kanë qenë të ngulur para ekranit duke parë lloj-lloj gafash politike, dhe mbi të gjitha janë fryrë nga një shkollë politike agresive dhe jetëgjatë, fatkeqësisht. Shtoji kësaj dhe trashëgiminë e një mentaliteti të mbyllur ideologjik. E thënë me fjalë të tjera, janë qeverisur nga bajraktarë. Ka prapë. Influenca e drejtësisë nëpër bajraqe ka qenë në një nivel të ulët, për shkak se kanë bërë vetëgjyqësi, e mbrojtur dhe e zhvilluar nga një korrupsion galopand i gjykatave. Kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë emigruar. Bajraktarët kanë bërë dhe luftë. Por lufta ka qënë e orientuar për mbrojtjen e interesave të veta të ngushta, të bizneseve të drogës, apo prostitucionit.

Për shkak të kësaj paraje e fituar lehtësisht, marramendëse dhe në një kohë të shkurtër, është rritur aktiviteti i krimit të organizuar në vend, nëpër nivele të larta shtetërore, dhe presioni mbi qytetarin është rritur akoma më shumë. I dituri, intelektuali, ai që ka sakrifikuar, ka studiuar, që ka marrë të gjitha pikët e mundshme nëpër konkurse, apo është kthyer më mastera e doktoratura nga jashtë, i ka gjetur dyert e mbyllura në vend, ka filluar të numërojë paratë pas gjashtë muajsh, dhe nuk ka mundur t'i thotë dot më e bardhë të bardhës dhe e zezë të zezës, meqë ka bërë kompromise të tjera.

Gjatë këtyre viteve të kaosit politik, Shqipërisë i kanë ardhur para pa hesap nga Europa, që janë përdorur për xhepat e atyre pak NGOve në morinë e shumtë të organizatave të krijuara, për thithjen e projekteve europiane, pa patur know-how. NGO të huaja janë hapur dhe financuar nga rryma nga më të çuditshmet, e deri diku ekstreme në ideologji, të pakontrolluar nga Shteti.

Paratë e ardhura nga emigrantët për parazitë që kanë qëndruar nga mëngjesi deri në darkë nëpër lokale, përsëri nuk kanë ardhur sepse familjarët e tyre e kanë merituar, por për mëshirë, për shkak të një tradite që ka qenë e rrënjosur thellë në familjet shqhiptare: "është detyrë ti ndihmosh". Paratë e ardhura, kanë qenë në një pjesë të madhe nga zanati i drogës edhe nëpërmjet bankave.

Në gjithë këto vite, çfarë ka bërë Shqipëria për ta merituar këtë pasuri?

Mungesa e meritokracisë ka bërë që vendi të këtë një zhvillim anormal. Krimi i organzuar ka rritur bajraktarët që kanë zaptuar politikën, pa rregulla, pa sistem kontrolli dhe financime të errëta. Ekonomia e vendit ka qenë e paformalizuar, e rritur keq, pa mundur tu japë siguri qytetarëve. Asnjë Qeveri nuk ka mundur të shtojë pensionet, dhe të çojë të paktën deri tek mesatarja nivelin e jetesës.

Media? Media ka qenë e lindur dhe e rritur për të bërë interesat e një biznesi. Por media online duket sikur ka gjetur prehjen e vet, dhe pse të kërcënuar. Ajo ka mundur ta thotë fjalën e vet.

Tani që Reforma në drejtësi po punon qetësisht, dhe organet e vettingut janë ngritur, nuk ka më plan B për qytetarët. Vendi duhet të qeveriset nga ligji dhe jo bajraktarët. Ky dhëmb i kalbur duhet të hiqet. Qytetarët kërkojnë një sistem normal qeverisjeje, me gjitha rregulla të qarta demokracie. Kërkon themele të forta, ato që i kanë mungur gjatë këtyre viteve. /hermesnews/

/Ora News.tv/