Emisioni investigativ "BOOM", ka vijuar në ditën e dytë të transmetimit të rastit të shtetasit Teki Hoxha, të publikojë prova të reja nga gjykimi i kësaj dosje në Gjykatën e Apelit Vlorë.

I riu më herët ishte dënuar me katër muaj burg nga gjykata e Beratit për mbajtjen e armëve të ftohta, thika, që u gjetën në banesën e tij, teksa në katin e parë të të cilës, kishin edhe dyqan mishi. 

Edhe pas kërkesës së Prokurorit të Apelit Vlorë për pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të riut, një kërkesë e tillë është hedhur poshtë nga trupi gjykues. 

Shkeljen proceduriale të Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Gjykata e Apelit Vlorë e ka cilësuar gabim material, teksa ka pretenduar korrigjimin e saj.

Përfundimisht edhe kjo gjykatë e ka dënuar me 4 muaj burg, po aq sa edhe gjykata e Beratit Teki Hoxhën.

Kërkesës në mënyrë të përsëritur të nënës së të dënuarit, për të marrë një kopje të regjistrimit audio të seancës përfundimtare në ngarkim të të birit,Gjykata e Apelit Vlorë nuk i ishte përgjigjur asnjëherë. 

Pas kërkesës zyrtare të "BOOM", gjykata thotë se nuk e disponon këtë regjistrim, duke ja faturuar këtë një problemi elektrik.

Prokurori i Prokurorisë së Apelit Vlorë, thotë se provat në dosje janë në favor të djalit, pasi ai ka qenë dhe kasap. Sipas tij dhe rrethanat e ngjarjes janë të paqarta.

Prokurori Vlorë: E bëtë rekursin ju?

Nëna e Tekiut: E kam bërë.

Prokurori Vlorë: Po ke bërë rekursin s`ka nevojë për diskun pasi janë provat të pasqyruara që janë në favorin e djalit, sepse ai ka qenë kasap, ça ka qenë ai. Ky është rasti?

Nëna e Tekiut: Po, po. Ky, kasap djali therrte...

Në datën 14 shkurt në orën 09:00, Gjykata e Beratit pritet të shqyrtojë kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë, ku sipas avokatit Idajet Beqiri, ekzistojnë të gjitha rrethanat që kjo gjykatë të pezullojë dërgimin në burg të këtij shtetasi deri në gjykimin në Gjykatën e Lartë të rastit, ku në bazë të shkeljeve të kësaj dosje, ajo duhet të kthehet edhe njëherë në Gjykatën e Shkallës së Parë për rigjykim.


/Ora News.tv/