Qytetarë të thjeshtë, arsimtarë dhe aktivistë apolitikë demonstruan sërish të shtunën në kryeqytetin serb.

Për të 31-tën javë radhazi, protestuesit dolën me deklarata kundër presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë në pushtet.

Tubimi nisi me kritika ndaj autoriteteve të Beogradit që kërkojnë të përvetësojnë pishinën e një qendre lokale sportive me qëllim zhvillimin e një projekti infrastrukturor.

Organizatorët e protestës më pas u fokusuan te mesazhet më politike, duke apeluar ndryshimin e kodit elektoral për të evituar manipulimet në zgjedhjet e radhës.

Në fjalime u fol edhe për çështjen e kundërmasave tregtare ndaj Prishtinës me rastin e tarifës 100 për qind që fqinji jugor aplikon prej nëntorit të kaluar.

Një nga folësit tha se zgjidhja më demokratike do të ishte marrja e një vendimi të konsultuar edhe me qytetarët, dhe jo vetëm nga qeveria.

Kolona e protestuesve nën siglën "1 në 5 milionë" marshoi më vonë paqësisht drejt rajonit qendror të policisë.

Ata kërkuanllogari për zbardhjen e sulmeve ndaj politikanëve të opozitës, gazetarëve dhe studentëve të dhunuar në protestat e javëve të kaluara kur mësynë në zyrat e radiotelevizionit publik.

Organizatorët kanë paralajmëruar një tjetër protestë të shtunën e ardhshme.

/Ora News.tv/