Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro paralajmëroi nga Korca një takim me artistët, që kundërshtojnë ligjin për Artin dhe Kulturën dhe zhvendosjen e Teatrit Kombëtar.

Kumbaro: Patjetër që do ti takoj artistët. Ne jemi duke ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore por edhe vendore sic është teatri i Korcës, për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla sic janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike. Ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që perjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës. 

Ne gjykojmë që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore. Projektligjin e kemi nxjerrë për konsultim publik, e kemi nxjerrë në faqen e Ministrisë së Kulturës, e kemi dërguar me email tek të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Sot ka bashki që i djegin fondet për kulturën sepse nuk dinë si të procedojnë me këto labirinthe burokratike. I kemi ftuar të gjithë që të japin sugjerimet e tyre në lidhje me draftin që kemi propozuar dhe kjo është faza e konsultimit. Dua të theksoj se përvec disave të cilet e kanë lexuar ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga drejtuesit vendorë apo subjekte të tjerë të interesuar. Nga mediat jam njohur me disa organizime të artistëve por besoj se mbasi të takohemi do sqarohemi të gjithë. Kemi parashikuar javën që vjen një tryezë për këtë draft dhe nëse ka kërkesa për tryeza të tjera jemi të gatshëm për ti diskutuar dhe shpjeguar draftin i cili nuk është lexuar dhe ka keqkuptime. Duhet ti takoj artistët pasi para se të kuptojmë cfarë kërkojnë, duhet të kuptojnë ata cfarë ofron drafti. 

Kërkesa për përballje me ministren u firmos nga rreth 70 artistë dhe u pasua nga një deklaratë e fortë e aktorit të madh, Robert Ndrenika.

Ndrenika:  Ne nuk duhet të lejojmë që të prishet ai teatër, pa u marrë vesh çfarë do bëhet me të.

Në përgjigje ministrja tha se do të flasë dhe me aktorin, por mbrojti projektligjin e ri të hedhur për diskutim.

Kumbaro: Duhet të flas me z.Ndrenika. Unë nuk mund të gjykoj vetëm me c'ka kam dëgjuar në media.

Ndërsa e pyetur për projektin e Teatrit të Ri Kombëtar që gjithashtu ka hapur debate, ministrja tha se salla aktuale do jetë në funksion deri në ditën që do vijë projekti. Por krahas saj do të vihet në funksion dhe qendra Turbina.

Kumbaro: Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e teatrit edhe për trupa të tjera.  

Ndërkohë artistët e skenës po shqyrtojnë protesta ose pezullim të shfaqjeve deri në zgjidhjen e problematikave.

/Ora News.tv/