Protestat kundër Ramës, në polici dhe kreu i PD-se së Sarandës

Kryetari i Partisë Demokratike në degën e Sarandës, Hariz Mema, është shoqëruar në Polici pas protestave kundër kryeministrit Edi Rama më 22 qershor. Ndërsa, në Gjirokastër të shoqëruarit Dasho Aliko dhe sekretari i PD-së  Spartak Drasa do të procedohen në gjendje të lirë. Ish-deputeti Bardh Spahia, i cili u la në arrest shtëpie pas përplasjeve në KZAZ, ka reaguar në rrjetet sociale, duke u shprehur se nuk është penduar për rrugën e përballjes me Kryeministrin.

Pas protestave kundër Kryeministrit, policia ka shoqëruar dhjetëra zyrtarë lokalë dhe mbështetës të opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike në degën e Sarandës, Hariz Mema, është shoqëruar të hënën në komisariat me akuza për protestën e paligjshme të mbajtur  në datën 22 qershor, kur një grup personash protestuan kundër kryeministrit Edi Rama.

Edhe në Gjirokastër, polica ka shoqëruar kreun e PD-së së degës në këtë zonë Dasho Aliko dhe sekretarin e PD-së Spartak Drasa, për shkak të tubimit që bënë të dielën ku tentuan që t’i bllokonin rrugën kryeministrit Rama.

Pas shoqërimit të tyre, policia ka vendosur që të dy personat të procedohen në gjendje të lirë. Ndërsa në Shkodër, kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, i është përgjigjur kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zbatimin e Kodit Zgjedhor, pas përplasjeve të ashpra në KZAZ-të e qytetit verior.

Në një letër drejtuar KQZ, Ademi sqaron përmes argumenteve ligjorë se ka zbatuar të drejtën që i jep Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe dekreti i Presidentit.

Ndërkaq ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia, me anë të një reagimi në faqen e tij zyrtare pas vendimit të gjykatës që e la në arrest shtëpie për përplasjet në KZAZ e Shkodrës, ka thënë se nuk është penduar për rrugën e përballjes me Kryeministrin.

 “Nuk jam penduar për asnjë moment për zgjedhjen që të kthehem e të qëndroj në vendin tim! Jam prane cdo mbrojtesi te lirise te ndaluar padrejtesisht, jam prane cdo qendrestari e ushtari te demokracise qe mbron lirine duke u perballur me dinjitet e kurajo kunder te keqes qe po rikthehet per te mbytur e zene per fyti demokracine ne atdheun tone”, shkruan Spahia në faqen e tij në facebook.

Bashkia Kukës ka paditur për shpërdorim detyre anëtarët e KZAZ nr.11 të qytetit të Kukësit.

Duke theksuar se anëtarët e kësaj KZAZ-je vazhdojnë të mbajnë të bllokuara, në mënyrë të paligjshme, mjediset në shkollën e mesme “Havzi Nela”, pasuri e kësaj bashkie, kryebashkikau Bashkim Shehu, shprehet se ata po konsumojnë veprën penale të "shpërdorimit të detyrës".

Argumenti i zotit Shehu është se “pavarësisht se anëtaret e KZAZ-së kanë marrë dijeni për shkak të detyrës, për anullimin e datës së zgjedhjeve vendore, ata vijojnë të mbajnë të bllokuar një objekt në pronësi të Bashkisë Kukës”.

Në padinë dorëzuar Prokurorisë së Shkallës së Parë Kukës, arsyetohet se anëtarët e KZAZ-së Kukës kanë konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim", pasi kanë penguar Bashkinë Kukës në ushtrimin e detyrës së saj, duke refuzuar kthimin e objekteve të zëna, si dhe në rolin e funksionarëve publikë, kanë refuzuar të zbatojnë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Pas daljes së dekretit të Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve, anëtarët e KZAZ-së Kukës i lëvizën materialet zgjedhore nga mjediset e Qendrës Kulturore “Hasan Prishtina”, por vazhdojnë të mbajnë të bllokuar palestrën sportive të shkollës së mesme “Havzi Nela”, në kundërshtim me ligjin.

Bashkia Kukës, duke vlerësuar se çdo veprim i ndërmarrë në kundërshtim me dekretin e Presidentit gjykohet si shkelje e legjislacionit penal dhe kërkon procedimin penal të anëtarëve të KZAZ-së Kukës, për "shpërdorim detyre", sipas nenit 248 të Kodit Penal.

Në nenin 248 të Kodit Penal ndër të tjera thuhet se kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milionë lekë.

(Në foto: Hariz Mema)

EMISIONET