Emërimi i një ish-oficeri komunist në krye të komitetit për zbatimin e ligjit, ka sjellë protesta masive në Çeki. Mijëra persona në Pragë dhe qytete të tjera kanë kundërshtuar vendimin e parlamentit çek, duke ngritur shqetësime për të ardhmen e demokracisë në vend.

Mijëra protestues bllokuan qendrën e Pragës dhe qytete të tjera mbrëmjen e së hënës, në një shfaqje zemërimi për emërimin e një ish-oficeri komunist në postin e kreut të komitetit parlamentar për zbatimin e ligjit.

Me sloganet “komunistët janë vrasës”, protestuesit mbanin në duar letra në formën e shkopave të gomës të përdorura nga policia, në shenjë indinjate për caktimin e Zdenek Ondracek, deputet i Partisë Komuniste Çeke si përgjegjës i inspektimit të përgjithshëm të forcave të sigurisë.

Zgjedhja e Ondracek u konfirmua në një votë të parlamentit çek javën e kaluar, pavarësisht kundërshtimeve se ai ishte pjesë e njësisë policore e cila përndoqi dhe keqtrajtoi kundërshtarët e regjimit komunist përpara Revolucionit të vitit 1989. Ondracek nuk ka mohuar veprimet e tij e madje ka deklaruar se ai nuk pendohet për çfarë ka bërë në të shkuarën.

Shumë nga protestuesit gjithashtu shprehën zemërimin e tyre edhe ndaj kryeministrit Andrej Babis, partia centriste e të cilit bëri të mundur zgjedhjen e Ondracek. Qytetarët shprehën shqetësimet e tyre për të ardhmen e demokracisë në Republikën Çeke.

Nisur nga reagimi masiv, Kryeministri premtoi se do të lobonte kundër caktimit të Ondracek në krye të komitetit për zbatimin e ligjit, por shumë qytetarë e kritikuan propozimin dhe akuzuan Babis se vetëm po përkulet ndaj presionit publik.

/Ora News.tv/