Në 50 qytetet italiane studentë, profesorë, mësues, nxënës, prindër e qytetarë kanë protestuar në një grevë 24 orëshe kundër paketës ekonomike të sapo aprovuar nga qeveria Conte dhe ndaj kostos së lartë e të papërballueshme që ka procesi i studimit të të rinjve në Itali.

Manikinë me portretet e dy zvëndës kryeminstrave Luigi Di Maio e Matteo Salvini, njëherësh liderë të dy forca kryesore qeverisëse, janë djegur nga studentët në rrugët e qytetit të Torinos nën sloganet kundër qeverisë.

Manifestuesit kanë hedhur thirrjet kundër reformës së re ekonomike, e cila sipas tyre ka injoruar problemet e studentëve e nuk parashikon burime të reja financiare në favor të së drejtës së arsimimit e cilësisë së formimit dhe studimit.

Nga veriu në jug të Italisë sheshet janë mbushur me të rinj protestues nën thirrjet "se nuk kanë frikë nga ndryshimi", por ndryshimi i premtuar nga qeveria "5 Yjet-Lidhja" janë veç fjalë pa asnjë masë konkrete.

Për manifestuesit ndryshimi propagandistik i premtuar nga qeveria nuk ka një projekt konkret për zhvillinim e vendit.

"Arsimi duhet të jetë në vendin e parë në axhendën e çdo qeverie, cilado qoftë, deklaron komiteti organizues i studentëve, e ndryshim për ta do të thotë më shumë investime në fushën e arsimit, investime afatgjate për të rinjtë, shkolla më të sigurta por jo me telekamera në klasë si në "big brother"e siç kërkon Salvini, por investime në sektorin e ndërtimit e mirëmbajtjes së shkollave".

Protestuesit kanë hedhur bojë të kuqe mbi fotografinë e Ministrit të Brendshëm Matteo Salvini e të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Luigi Di Maio, fakt që ka shkaktuar reagimin e ashpër të liderit të Lidhjes.

Në profilin e tij Twitter, Salvini pyet se "a është ai e Lidhja që akuzohen se mbjellin urrejtje? Apo janë këta studentë demokratë, të pëkëdhelurit e qëndrave sociale që varin në rrugë fotografinë e Ministrit të Brendshëm e djegin manikinin me fytyrën e tij. E kjo është diçka e shpifur,..." shkruan ai duke informuar se të rinjtë që kanë kryer një gjest të tillë janë denoncuar nga autoritetet policore.

Grevës së studentëve në 50 qytetet italiane i janë bashkuar dhe punonjësit e transportit publik, duke vënë në vështirësi qarkullimin dhe paralizuar lëvizjen e banorëve në mjaft qytete.

/Ora News.tv/