Ministri për Diasporën Pandeli Majko i ka dorëzuar komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore një draft të plotë mbi realizimin e votimit të emigrantëve në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Në draft parashikohet që kjo e drejtë të ushtrohet në zgjedhjet parlamentare dhe në rastet e referendumeve. Për këtë rast Majko shikon më të arsyeshëm kalimin në një sistem proporcional kombëtar që sipas tij është modeli më i lehtë për të aplikuar votën jashtë vendit pasi të gjithë votuesit, në këtë rast, janë të regjistruar në një qark elektoral të vetëm.

Në analizë nënvizohet se zgjedhjet lokale prekin një numër të caktuar banorësh ndaj dhe nuk ka ndikim te interesat e shtetasve që jetojnë jashtë vendit.

Duke bërë një analizë të propozimit në draft thuhet se sa i përket sistemit aktual ai shprehet se për Shqipërinë, ekzistojnë disa vështirësi. Së pari, ky model do të kërkonte ndryshime thelbësore në kushtetutë, së dyti, do të duhej përcaktimi i zonave elektorale jashtë vendit, dhe e treta shpërndarja e madhe gjeografike e shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit ccka nuk lidhet me ndonjë “qark abstrakt ekstraterritorial”.

Megjithatë pranohet se Shteti shqiptar nuk disponon ende të dhëna të sakta për shtetasit e tij jashtë atdheut dhe vendbanimet e tyre. Në këtë proces është e nevojshme që këta shtetas të shprehin vetë dëshirën e tyre për të votuar. Duke bërë një kërkesë me anë të postës , përmes internetit duke ju drejtuar një strukture të posaçme të krijuar pranë institucionit përgjegjës ose duke u paraqitur në misionet diplomatike të Shqipërisë

Për mundësimin e votimit jashtë vendit mundësohen dy procedura votimi, ai i drejtpërdrejtë në qëndra të posaçme votimi, dhe votimi me postë.

Në rastin e votimit me postë shtetasit e regjistruar do të kenë dy mundësi për të marrë fletët e votimit duke i shkarkuar nga faqja zyrtare në internet ose duke i marrë me anë të postës.

Në procesin e votimit të shtetasve jashtë vendit do të shfaqen vështirësi të cilat lidhen me logjistikën. Në votimin e drejtpërdrejtë hapja e qendrave të votimit në të gjitha vendet ku jetojnë e banojnë shqiptarë do të kthehej në një “makth” logjistik. Kjo pasi në çdo qendër votimit, qoftë dhe jashtë vendit, duhet të ketë 12 kuti votimi dhe një numër të saktë fletësh votimi në përputhje me qarqet elektorale ku janë regjistruar votuesit e jashtë vendit.

Teksa votimi me postë nuk has në vështirësi të tilla. Një shërbim postar special mund të shpërndajë dhe mbledhë fletët e votimit në një mënyrë mjaft më të shpejtë e efikase.

Madje sipas Majkos eliminohet dhe mundësia e votimit në misionet diplomatike, që mund të jenë të kontestuar nga partitë politike. Por avantazhi i votimit të drejtëpërdrejtë nga ai me postë është eliminimi i votimit familjar.

Kostoja e votimit me postë është më e ulët se sa e votimit të drejtpërdrejtë. Nga vlerësimi i përafërt e kostos së votimit jashtë vendit me postë rezulton se ky proces do të kushtonte midis 20 – 25 dollarë për cdo “votues të jashtëm”. Kostoja mund të ulet me rritjen e pjesëmarrjes së votuesve.


Votimi i Shtetasve Te Republikes Se Shqiperise Jashte Vendit


/Ora News.tv/