Nën dyshimet për krim të organizuar në grup, lidhur me veprat penale për kontrabandë me mallra, tregti të ndaluar dhe shmangie doganore, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj nëntëmbëdhjetë personave.

Në një njoftim të Prokurorisë Speciale thuhet se “të akuzuarit, si grup i organizuar kriminal, kanë bërë shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore dhe shmangie tatimi, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për 350,000 euro".

“Sipas aktakuzës, të pandehurit, si grup i organizuar dhe i strukturuar kriminal, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi kanë kontrabanduar mallra nga Republika e Maqedonisë [v.j. së Veriut], përmes rrugëve malore, në vende të ndryshme të Republikës së Kosovës, me ç’rast gjatë transportimit të mallrave, kanë përdorur vetura të ndryshme si mjete përcjellëse për sigurimin e rrugëve që shfrytëzonin gjatë kontrabandimit. Në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, përkatësisht Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës, në shumë prej rreth 350,000 eurosh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas të njëjtit, shumica e të pandehurve akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme dhe për tregti të ndaluar.

Prokuroria i identifkoi të pandehurit vetëm me iniciale./REL/



/Ora News.tv/