Pak javë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda dhe dënimin përfundimtar për të pesë të pandehurit e grupit "Shullazi", një nga biznesmenët e kërcënuar që e ka fituar statusin e të penduarit, Ylvi Beqaj, është shfaqur në Prokurorinë e Tiranës. Mësohet se ai është marrë në pyetje në lidhje me akuzën e pastrimit të parave.

Biznesmeni, Ylvi Beqaj, i cili ishte i vetmi që denoncoi në prokurori për kërcënim dhe gjobëvënie Emiljano Shullazin dhe anëtarët e tjerë të grupit, është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Tiranës.

Ai ka qëndruar mbi një orë në organin e akuzës ku është pyetur në lidhje me ish-hotel Vollgën pas procedimit të ngritur ndaj tij për pastrim të produkteve të veprës penale.

Por për këtë vepër kanë nisur hetimet edhe për Emiljano Shullazin, i cili u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 14 vite burg.

Mësohet se biznesmeni, i cili ka tashmë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka qenë i shoqëruar edhe me efektivë të policisë ka dhënë detaje në lidhje me pasurinë e tij, mes të cilave dhe ish-hotel Vollga ku ai ka një pjesë të madhe të kësaj prone.

Prej dy vitesh prokuroria ka nisur verifikimet për këtë pronë në qendër të Durrësit.

Nga informacionet rezulton se në vitin 2003, me vendim të kthimit dhe kompensimit të pronave, ish-hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi.

Kjo e fundit, në të njëjtën ditë që ka bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë, ka dorëzuar edhe një “trashëgimi testamentare” në emër të shtetasit Zamir Hasa.

Sipas dokumentit të Hipotekës, rezulton se po në të njëjtën ditë me regjistrimin në emër të Alie Fortuzit, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.

Për këtë kontratë shitjeje, trashëgimtari testamentar Zamir Hasa ka ndjekur rrugën gjyqësore, pasi ka paraqitur pretendimin se është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive.



/Ora News.tv/