Programi gjerman i Bashës, Bode: S’e pamë kurrë, dolëm më keq se në 2013

Programi gjerman i Bashës, Bode: S’e pamë kurrë, dolëm

Programi elektoral ishte një ndër pikat e forta që kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha trumbetoi gjatë fushatës zgjedhore, e që sipas tij bënte diferencën me kundërshtarin e tij politik Edi Rama.

Por krejt të kundërtën mendon ish-sekretari i Përgjithshëm i selisë blu, njëherësh ish-ministër i Financave në qeverinë “Berisha”, Ridvan Bode.

Në studion e emisionit “Ekopolitikë” në Ora News të gazetares Autora Sulçe, Bode deklaroi se Basha dhe opozita e djathtë nuk arriti dot të formatonte një program-ofertë për qytetarët dhe për këtë arsye pësoi një humbje edhe më të thellë se në në 2013.

Bode theksoi se edhe pse u trumbetua nga Basha që PD-ja ka hartuar një program me ndihmën dhe konsulencën e ekspertëve të kancelares gjermane Angela Merkel, në fakt një program i tillë nuk u pa kurrë.

Ridvan Bode: Pas katër viteve qeverisjeje mendoja se socialistët do të ishin më të saktë dhe më të adresuar, por në fakt, po ta marrësh materialin që kanë paraqitur në Parlament ka më shumë retorikë politike se sa propozime konkrete, apo matje, apo të themi programe të mirëfillta për reformim, dhe kjo të lë një shije të hidhur. Sepse edhe zgjedhjet dhe fushata elektorale, pasi sigurisht, ka të drejtë z. Bushati (Ervin Bushati, deputet i PS-së) dhe Partia Socialiste që thotë se ne dolëm para qytetarëve, morëm votat e tyre dhe u besuam të vetëm për të qeverisur, dhe me kaq mbyllet argumenti politik i çështjes së programit. Por nëse do i futemi elementëve ekonomikë të qeverisjes unë mendoj se ka gjëra për të thënë. Sepse në fushatën elektorale nuk u dol me një program elektoral, ku sigurisht që programi elektoral nuk ka në brendësinë e tij përllogaritjet që janë këtu te programi qeverisës, por do të ishte një program nga pikëpamja politike. Dhe në këtë kuptim këta dolën pa program, ashtu sikurse doli dhe opozita. Dhe opozita për llogari të saj nuk arriti dot të formatonte një program-ofertë për qytetarët dhe për këtë arsye shkoi edhe më keq se ç’ishte në 2013-ën.

Aurora Sulçe: Kishte programin e hartuar nga ekspertët e Merkelit, nga sa ka deklaruar z. Basha…

Ridvan Bode: Nga sa ka deklaruar, por nga sa u tha në publik ne kurrën e kurrës nuk pamë një program që të ishte i koordinuar, i balancuar dhe të mund të deklarohej në mënyrë unike nga të gjithë kandidatët për deputetë apo përfaqësues të PD-së.

Aurora Sulçe: Për t’ju marrë një opinion mbi këtë, ju mendoni se mungesa e ofertës së një programi është një arsye që e ka penalizuar PD-në në këto zgjedhje?

Ridvan Bode: Nuk e di, por po të jetë diskutimi në planin e njerëzve që unë mendoj që janë të vëmendshëm në këtë aspekt, sigurisht që e ka penalizuar Partinë Demokratike kjo. Por e njëjta gjë do të vlente edhe për qeverinë, e cila do të ishte penalizuar, por mendoj se nuk kanë ndikuar shumë në zgjedhje programet…

https://www.youtube.com/watch?v=9qqWjgMZ7-8&t=1114s

 

/Oranews.tv/

 

EMISIONET