Producenti Harvey Weinstein akuzohet për përdhunim në Nju Jork

Producenti Harvey Weinstein akuzohet për përdhunim në Nju Jork

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut ka ngritur akuzën e parë zyrtare ndaj producentit hollivudian Harvi Uajnstin. Mbi 66-vjeçarin rëndojnë tashmë akuzat për përdhunim dhe abuzim seksual ndaj dy grave. Kujtojmë se ndaj producentit janë ngritur një sërë pretendimesh për sjellje jo të hijshme nga më shumë se 70 gra.

Producenti hollivudian Harvi Uajnstin është akuzuar në Nju Jork për përdhunim dhe abuzim seksual. Sipas një deklarate nga Departamenti i Policisë së Nju Jorkut, ku producenti u vetëdorëzua këtë të premte, Uajnstin është arrestuar dhe akuzuar për përdhunim, abuzim seksual, sjellje jo të hijshme dhe akt penal seksual, për incidente që përfshijnë dy gra.

Deklarata e policisë gjithashtu falenderon viktimat që treguan guxim dhe kurajë për të treguar historitë e tyre dhe për të kërkuar drejtësinë. Ndërkaq, nuk janë bërë ende publike detaje nga akuza dhe nga personat që kanë depozituar kallëzimin për Uajnstin.

Dhjetëra gra kanë ngritur pretendime se 66-vjeçari i ka ngacmuar dhe ka kërkuar favore seksuale ndaj tyre në këmbim të mundësisë për të arritur famën duke interpretuar në filmat e prodhuar nga kompania që producenti zotëronte. Uajnstin ka mohuar çdo pretendim, duke deklaruar se marrëdhëniet intime me gratë në fjalë kanë qenë konsensuale.

Denoncimi ndaj Uajnstin i dha jetë lëvizjes sociale #MeToo, e cila tërhoqi vëmendje mbi nivelin e lartë të përhapjes së abuzimit dhe ngacmimit seksual jo vetëm në botën e shoubizit, por edhe në të tjera fusha.

EMISIONET