Reshjet e dendura të muajit shkurt kanë përmirësuar ndjeshëm prodhimin e energjisë elektrike në vend. Korporata Elektroenergjitike ka mbyllur tenderin për shitjen e energjisë elektrike për muajin mars, duke kapur vlerën mbi 13,4 mln euro. Kjo vlerësohet sasia më e lartë e nxjerrë për shitje që prej nisjes së krizës për shkak të thatësirës.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shitur 13.4 mln euro energji vetëm për muajin mars. Kjo ka ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të situatës financiare të kësaj korporate.

Rritja e prodhimit të energjisë erdhi si rezultat i reshjeve intensive të rëna gjatë muajit shkurt, të cilat rritën ndjeshëm nivelin e ujit në Kaskadën e Drinit dhe si rezultat edhe prodhimin e energjisë elektrike.

KESH ka mbyllur tenderin për shitjen e muajit mars, duke eksportuar rreth 398 mijë MVVH.

Energjia i është shitur 14 kompanive me një çmim mesatar prej 34 euro për megavat.

Sasia e energjisë së shitur rezulton të jetë më e madhja e eksportuar që prej krizës që përfshiu sektorin energjitik në vend për shkak të thatësirës.

Eksporti i energjisë ka ardhur pas plotësimit të nevojave të vendit për konsum energjie.

Gjatë 2017, KESH u përfshi nga kriza për shkak të mungesës së reshjeve ndërsa qeveria u detyrua të ndryshojë buxhetin duke i akorduar  4.5 miliard lekë për blerje energjie.

Gjithashtu për të plotësuar nevojat e vendit me energji  u shpenzua edhe fondi i Bankës  Botërore  prej rreth 23 milionë euro.

/Ora News.tv/