Visar Ymeri dha sot dorëheqjen jo vetëm si kryetar i Vetëvendosjes por edhe nga të gjitha funksionet brenda kësaj partie.

Dorëheqja është zyrtarizuar vetëm  pak javë pasi në këtë lëvizje kanë dalë në pah përçarjet brenda figurave kryesore të kësaj VV-së

“Që nga ky moment unë kam vendosur që të dorë hiqem nga të gjitha pozitat e mia në Lëvizjen Vetëvendosje. Dorëheqja ime është e parevokueshme”,  thaYmeri në konferencën për media nga selia qendrore e partisë.

Ndërkohë, VV’ja është duke u përgatitur për procesin zgjedhor brenda partisë, dhe deri më tani vetëm Albin Kurti ka konfirmuar kandidaturën për të marrë postin e të parit të lëvizjes.

Visar Ymeri që nga fillimi është rreshtuar në atë që u quajt Klani i Dardan Molliqajt brenda VV’së, të cilët kundërshtojnë kthimin e Kurtit në krye të partisë.

Ndarjet brenda VV’së  u vunë re pasi në media rrodhi një komunikim i brendshëm i deputetëve të kësaj partie, në të cilin Aida Dërguti kishte fyer Kurtin në ditën e arrestimit të tij.

Më pas, disa zyrtarë të VV’së dhe aktivistë të saj shpërthyen në fyerje e linçime ndaj deputetes Dërguti e cila u dorëhoq pas rrjedhjes së mesazheve fyese.

Figura të VV’së kanë konfirmuar se ndarjet brenda partisë nuk kanë ndodhur në javët e fundit, por  ka një vit që janë krijuar.

Një gjë të tillë edhe vetë Ymeri e bëri të ditur në dorëheqjen e tij.

Visar Ymeri: Viti i fundit ka nisur të rëndojë themelet e tre shtyllave. Jemi përballur me fushatë sistematike të shpifjeve, lincimeve e etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues e bashkëpunëtorë shërbimesh. Njerëzit që e kanë shpërndarë një propagandë të tillë janë thirrur nën emrin e Albin Kurtit. Disa herë jemi marrë vesh që të ndalohen por nuk ka ndodhur. Nuk e pëlqej metodën e eliminimit politik.

Jap dorëheqje në shenjë mos pajtimi me këto zhvillime. Kohët e fundit kam parë intensitet të shtuar të shpërfilljes sime si kryetar dhe organeve drejtuese të lëvizjes. Në këto rrethana është e pamundur të drejtosh dhe nëse nuk drejton atëherë nuk ka kuptim të mbetem kryetar. Shpresoj që dorëheqja ime të jetë alarm për gjëndjen ku ndodhemi dhe të kuptohet nga të gjithë e vecanërisht nga ata që kanë bërë fushatë lincimi. Të heqin dorë nga kjo metodë, ti thërrasin mendjes e të mos shkatërrojnë një organizatë për teka personale.

 

/Ora News.tv/