Priten surpriza nga Rama për Ministrin e Brendshëm

Priten surpriza nga Rama për Ministrin e Brendshëm

Për Ilir Demaliaj, refuzimi i Metës për të dekretuar Ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi ishte i pritshëm. Për Ora News, Demalia rendit arsyet kryesore që sipas tij i diktuan Kreut të Shtetit këtë vendimmarrje.

Demalia: Së pari ka të bëjë me verifikimin e Shërbimeve Inteligjente. Kjo është kryesorja. Tjetra është në aspektin etik dhe moral, Lleshi e dogji veten se u deklarua tek emisioni "Opinion" se unë i shërbej Ramës. Të gjitha këto nuk mund të lejonin Presidentin që të dekretonte një njeri të tillë për vetë faktin se kjo Ministri ka qenë problem gjatë gjithë mandatit të Ramës me dy dorëheqje të Ministrave. Ardhja e Lleshit nuk premtonte se do të përmirësonte gjendjen e rendit, të luftës ndaj trafikut të drogës, etj.

Ndërsa Ilir Kalemaj thotë se dekretimi i Lleshit bënte Ramën de-facto Ministër të Brendshëm.

Kalemaj: Pas dy figurave me peshë shumë të rëndësishme në PS kemi propozimin nga kryeministri të një figure teknike, por që në thelb nënkupton marrjen e pushtetit nga Rama. Vetë Rama de-facto do të ishte Ministër i Brendshëm në një skenar të ngjashëm me atë që po ndodh në Greqi ku Tsipras mori Ministrinë e Jashtme dhe de jure. Në rastin e shqiptar, kjo do të ishte pak e frikshme.

Po cila do jetë lëvizja e rradhës nga ana e kryeministrit dhe si e lexojnë Kalemaj dhe Demalia sms që Rama u dërgoi deputetëve socialistë?

Kalemaj: Kryeministri po funksionon me lëvizje surprizë si në rastin e zëvendësministrit të Arsimit.Por Meta nga ana tjetër është shahist politik dhe duhet pritur që ky ballafaqim i kësaj lufte të fortë mes institucionit të Presidencës dhe kryeministrit do të prodhojë ndonjë detant të përkohshme si në të kaluarën apo do të eskalojë drejt një konflikti kushtetues që mund të çojë dhe në një lufte politike të parakohshme, pasi kemi zgjedhjet lokale shumë shpejt, për 6-7 muaj. Duhet parë nëse kjo situatë do të përshkallëzohet, do të krijiojë instabilitet politik dhe do të prodhojë kosto elektorale për njërën apo tjetrën palë apo do të kemi një detantë politike dhe një lloj presidenti që bëhet palë apo mbi palët. Mbetet për tu parë.

Demalia: Ajo që bëri Rama sot, duke ju drejtuar deputetëve të vet që të mos japin asnjë koment është një mënyrë që e përdorin padrinot mafiozë. Në një parti politike, një kryetar partia nuk mund të detyrojë anëtarët e saj, parlamentarët e saj që të mbyllin gojën. Kjo është shumë e rëndë dhe tregon se në çfarë gjendje është kjo parti sot. Nuk mund të pritet gjë nga Rama.Është imediate, megjithëse  nuk kam besim tek opozita, që me zgjedhjet lokale të bëhen dhe zgjedhjet e përgjithshme. Opozita të kërkojë me këmbëngulje ndryshimin e kodit zgjedhor dhe të bëhet çmos për të larguar Ramën. Jo se do bëhet mrekullia, por duhet bllokuar në mënyrë imediate çimentimi i mëtejshëm i pushtetit të Ramës.

EMISIONET