Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim Avokatin e Popullit, Igli Totozani, ku ndanë mendime për disa problematika me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Kryetari i Shtetit e siguroi zotin. Totozani se e mbështet fuqishëm Institucionin e Avokatit të Popullit në misionin e tij fisnik në mbrojtje të të drejtave të njeriut duke e garantuar se do të jetë gjithmonë në krah të tij në kuadër të bashkëpunimit institucional, për t`u ardhur në ndihmë qytetarëve të thjeshtë. Presidenti Nishani u fokusua tek aksesi në drejtësi për qytetarët, eleminimi i vonesave në praktikat gjyqësore si dhe kërkoi nga Avokati i Popullit të jetë aktiv në trajtimin e rasteve shqetësuese që prekin funksionimin e gjyqësorit. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani e siguroi Avokatin e Popullit për mbështetjen e Tij, në pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për adresimin e këtyre problematikave. Avokati i Popullit, Igli Totozani duke e falenderuar Presidentin Nishani për pritjen shprehu vlerësimin e lartë për vizionin e Presidentit Nishani lidhur me bashkëpunimin mes dy institucioneve. Totozani gjatë bisedës me Presidentin Nishani u ndal në dy probleme të rëndësishme, si ai i moszbatimit të vendimeve të gjykatave, të cilin e konsideroi një "nyje gordiane" për sistemin e drejtësisë në vend dhe trajtimin me prioritet të grupeve vulnerabël të shoqërisë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e garantoi Avokatin e Popullit për mbështetjen e Tij maksimale në ndjekjen me rigorozitet të punës së Institucioneve të Pavarura të Drejtësisë në luftën kundër fenomeneve të ndryshme, që prekin qytetetarët shqiptarë.

/Ora News.tv/