Kreu i shtetit Bujar Nishani niset sot për në Republikën e Kosovës, ku me ftesë të Presidentes kosovare, Atifete Jahjaga, do të zhvillojë një vizitë zyrtare treditore.  Në këtë vizitë të parë shtetërore në Kosovë në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, Presidenti do të kryesojë një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të së cilit do të jenë dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Hoxha dhe Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla. Gjatë vizitës në Kosovë, kreu i shtetit do të takohet me Presidenten Atifete Jahjaga, në përfundim të së cilit të dy homologët do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjithashtu ai do të takohet me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili do të pasohet nga një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të presidentit shqiptar si dhe do të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritet të zhvillojë takime të veçanta edhe me Kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht Kreun e LDK-së, Isa Mustafa, me Zëvendëskryeminstrin dhe Kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, me Zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala, me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe me autoritete të tjera vendore në Kosovë, si dhe me Zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviç. Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Kryetari i Shtetit shqiptar do të zhvillojë homazhe në vendprehjen e Presidentit Rugova dhe në varrin e Adem Jasharit, të cilat do të pasohen nga vizita e Presidentit Nishani në familjet respektive të këtyre figurave të shquara historike të Kosovës. Kreu i Shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar muzeun e Lidhjes historike të Prizrenit, Kishën Katolike të Binçës, Manastirin e Deçanit dhe Xhaminë e Sinan Pashës. Një etapë e veçantë e kësaj vizite do të jetë edhe fjala që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të mbajë në Universitetin AAB, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovare, intelektualë, pedagogë dhe studentë.

/Ora News.tv/