Ekipi kombëtar luan sot një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Islandës, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2020. Pas disfatës me Francën, entuziasmi ka rënë ndjeshëm, por tani kuqezinjtë kanë më tepër nevojë për mbështetje.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare bën thirrje për mbështetje masive të ekipit kombëtar. Ai sqaron se pavarësisht axhendës politike do të jetë në stadium, teksa kërkon nga tifozët që të mos i braktisin kuqezinjtë.

"Nuk kisha në plan të shkoja sot në "Elbasan Arena" për shkak të shumë detyrimeve të tjera, por besoj se të gjithë duhet të jemi më pranë se asnjëherë Kombëtares sonë që pas shkëlqimit të jashtëzakonshëm në Europianin e Francës është në tranzicion drejt rigjetjes së vetvetes. Shpesh tifozët kërkojnë vetëm fitore, por topi është i rrumbullakët. E di që shumë tifozë janë mërzitur nga humbja me Francën, kampionen e botës, por mos harroni si humbi Brazili me Gjermaninë 1-7. Le të mësojmë dhe nga tifozët e Kosovës, që pikërisht kur ekipi është në disavantazh, ndizen më shumë në përkrahjen e ekipit. Sot në "Elbasan Arena" me Kuqezinjtë"-shkruan Meta në rrjetin social.

Shqipëri-Islandë luhet sot në "Elbasan Arena" duke nisur nga ora 20:45.

/Ora News.tv/