Meta 10 pyetje publike Soreces, pas apelit urgjent per dialog

Meta 10 pyetje publike Soreces, pas apelit urgjent per dialog

"Është koha që qeveria shqiptare, opozita dhe institucionet të tregojnë pjekuri dhe të angazhohen urgjentisht në dialog për të kapërcyer situatën politike aktuale. Është gjithashtu koha të ecet përpara me reformat e sundimit të ligjit."

Ftesës urgjente që ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i bëri palëve politike përmes një deklarate të postuar në facebook nuk kaloi pa vëmendjen e presidentit Ilir Meta, i cili një ditë më parë adresoi akuza ndaj faktorit ndërkombëtarë. 

Kreu i shtetit hartoi 10 pyetje për kreun e delegacionit  të BE-së që konsistojnë pikërisht tek dialogu.

"Presidenti i Republikës përshëndet nxehtësisht thirrjet e sinqerta të ambasadorit Soreca për “pjekuri politike dhe për angazhimin urgjentisht në një dialog politik për të kapërcyer situatën aktuale”.

Me këtë rast Presidenti ka disa pyetje publike:

A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më parë z.Ambasador?

A morët ju ndonjë nismë konkrete për vendosjen e këtij dialogu mes palëve?

A i kërkuat ju mbështetjen Presidentit për dialog, me qëllim që t’ja kursenim shfaqjen e shëmtuar të 30 qershorit Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane?

A e dini ju që Presidenti mori një nismë për anullimin e zgjedhjeve me qëllim vendosjen e dialogut mes palëve?

Përse nuk e mbështetët ju Presidentin në këtë inisiativë publikisht?"

Kreu i shtetit shkon dhe më tej duke iu referuar nismës së zyrtarëve të bundestagut gjerman, që ishte pikënisja e presidentit për anulimin e 30 qershorit. 

"A e dini ju që në 24 maj 2019 përfaqësuesit zyrtarë të grupit kryesor në Bundestag, deputetët Wadephul dhe Schmidt, përmes një qëndrimi zyrtar kërkuan vendosjen urgjent të dialogut për zgjidhjen e krizës, madje u ofruan për moderimin e këtij dialogu me qëllimin e mirë për të ndihmuar në çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe theksuan edhe rëndësinë e një date të re për zgjedhjet vendore, që të ishin demokratike dhe gjithpërfshirëse, si domosdoshmëri për të ndihmuar çeljen e negociatave?

A e dini ju që Presidenti menjëherë reagoi duke mbështetur këtë nismë dhe tregoi vullnetin e tij për të dekretuar një datë të re të zgjedhjeve, pas dakordësimit të palëve?

A e dini ju që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 13 tetor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale gjithpërfshirëse? Çfarë qëndrimi keni ju?

A e keni sqaruar z.Rama se zgjedhjet pa opozitën nuk plotësojnë kriteret e Kopenhagës, shkelin parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pamundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit në tetor 2019?

A e dini ju që po dje Presidenti ka theksuar, duke patur parasysh rëndimin e krizës politike në vend, që 13 tetori 2019 të jetë jo vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe e atyre parlamentare dhe presidenciale, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj krize të thellë dhe të gjithanshme të përfaqësimit në vend? "

Ju e dini shumë mirë, që ditën e parë që keni mbërritur këtu, se një nga shqetësimet dhe vërejtjet e mia për Delegacionin e BE gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve.

Kaq i ashper presidenti pritet të jetë dhe për reformën në drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese. Ai e paralajmëron dhe në letër  

"Për pyetjet e tjera për Reformën në Drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese do vijoj më vonë, por dialogu, temat, mënyrat dhe objektivat e tij të përcaktura qartë janë prioriteti numër një për momentin, sipas mendimit tim."

Në herët akuzoi Ramën se e ka bërë reformën sipas Bienales së Venecias sepse është thjesht një Artist.  Ndërkohë kreu i delegacionit të BE-së nxit ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

EMISIONET