Presidenti i Iranit shpall fundin e Shtetit Islamik

Presidenti i Iranit shpall fundin e Shtetit Islamik

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, shpalli fundin e grupit militant Shteti Islamik, gjatë një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.

"Do të doja të shpreh mirënjohjen time për luftëtarët për Islamin, diplomatët iranianë, Qeverinë iraniane dhe njerëzit e saj, liderin suprem (Ajatollah Ali Khamenei), forcat e armatosura, popullin iranian, popullin irakian, popullin sirian, popullin libanez për fundin e një grupi që nuk solli asgjë, përveç së keqes, dëmtimit, shkatërrimit, vrasjeve dhe egërsisë", tha Rohani.

"Është fundi i një grupi terrorist që është ushqyer, armatosur dhe financuar nga fuqi të mëdha dhe disa vende konservatore në rajon", shtoi ai.

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, gjeneral-major Qassem Soleimani, po ashtu shpalli fundin e Shtetit Islamik përmes një mesazhi dërguar udhëheqësit suprem të Republikës Islamike.

Shteti Islamik ka pushtuar territore të mëdha në Siri dhe Irak në verën e vitit 2014, por ai është luftuar në disa fronte dhe është dobësuar ndjeshëm.

Garda Revolucionare e Iranit, një forcë e fuqishme ushtarake, ka luftuar në mbështetje të presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe qeverisë qendrore në Bagdad për disa vjet./REL

EMISIONET