Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë. Dy liderët biseduan për çështje të ndjeshme në Lindjen e Mesme, mes tyre edhe marrëdhëniet mes izraelitëve dhe palestinezëve. Presidenti Trump lajmëroi se së shpejti ai mund të vizitojë Jeruzalemin në kuadër të inagurimit të Ambasadës së re amerikane në Izrael.

Presidenti Donald Trump mund të udhëtojë drejt Izraelit për hapjen e ambasadës së re të Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem, e planifikuar të inagurohet në muajin maj. 

Trump u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ndodhet në një vizitë 5-ditore në kontinentin amerikan. Në Zyrën Ovale ku dy liderët zhvilluan bisedime, Trump deklaroi se ai po planifikon një vizitë të dytë në Jeruzalem si president i Shteteve të Bashkuara.

Përtej hapjes së ambasadës, Trump dhe Netanyahu diskutuan gjerësisht lidhur me çështjen e Iranit, për të cilën ata prezantuan një qasje të bashkuar. Të dy liderët kanë kërkuar prej kohësh ndryshimin ose shfuqizimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, që sipas tyre është e kufizuar në kohë dhe nuk përfshin programin e raketave balistike të Teheranit zyrtar apo mbështetjen e vendit për militantët anti-izraelitë në rajon.

Bisedimet mes liderëve gjithashtu u ndalën edhe në çështje të tjera rajonale si situata në Siri, Irak, Liban dhe palestinezët. Shtëpia e Bardhë deklaroi se presidenti Trump ka theksuar angazhimin dhe besimin e tij në gjetjen e një marrëveshjeje të përhershme paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.

/Ora News.tv/