Presidenca për dekorimin e Gafur Mazrekut: Provokim, evokon konflikte ekstreme

Presidenca për dekorimin e Gafur Mazrekut: Provokim, evokon konflikte

Vendimi për dekorimin e Gafur Mazrekut ka shkaktuar jo vetëm reagimin e opozitës por edhe të presidentit Meta dhe të kryeministrit Rama. 

Vetë Presidenti nuk është shprehur për këtë vendim por nëpërmjet zëdhënësit të tij Tedi Blushi e ka dënuar ashpër duke thënë se në këtë mënyrë po shkaktohet një provokim i panevojshëm. 

Blushi: Ky vendim është një provokim i panevojshëm, në tejkalim të vlerave e moralit të shoqërisë sonë dhe perspektivës të saj të qartë europiane.  Dekorimi i personave të dënuar me vendim gjykate për plagosje me armë, nuk përputhet me standardet e një shoqërie demokratike.

Por reagimi i kryeministrit Rama ishte ai që e bën nul vendimin e Këshillit bashkiak, pasi në orët  e pasdites në një njoftim për shtyp zyra e shtypit  bëri me dije se kryeministri i ka kërkuar prefektit të mos e firmosë këtë vendim.

Rama: I kam kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së atij vendimi, ndërkohë që sot në mbledhjen e grupit parlamentar e kam dënuar këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie të këshilltarëve të Hasit, pavarësisht se në Këshillin Bashkiak të Hasit Partia Socialiste ka vetëm një këshilltar, i cili nuk ka votuar pro vendimit. 

Rama i ka konsideruar hordhi vulgare akuzat e Partisë Demokratike, si një shpërdorim politik të radhës  të emrit e të kujtimit të Azem Hajdarit.

Më herët PD e kishte komentuar si akt të pashembullt dhe kriminal, vendimin e Këshillit bashkiak të Hasit dhe gishti i akuzës së PD u drejtua nga kryeministri Rama. 

PD e paralajmëroi javën e kaluar propozimin e bashkisë Has për Këshillin bashkiak, duke e quajtur një vendim të tillë si një vrasje të dytë për heroin e demokracisë, ish-deputetin Azem Hajdari.

EMISIONET