Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi dhe drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi debatuan ashpër dhe me tone të larta në mbledhjen e Shtabit Vendor, në lidhje me përmbytjet në këtë qark. Prençi e kundërshtoi apelin e kryebashkiakes duke thënë se situata nuk plotëson kushtet e mergjencës.

Shemsi Prençi: "Nuk kemi të izoluar asnjë qendër të njësisë së qeverisjes vendore. Nuk kemi prezencë uji në asnjë banesë në territorin e përmbytur sipas hartës. Ne kemi 200 familje në Obot me prezencë uji, ku të gjithë ne e dimë se Oboti është zonë e planifikuar të përmbytet."

Prençi si anëtar i Komisionit të Menaxhimit të Kaskadës së  Drinit, garantoi se kjo e fundit është duke u mbajtur në monitorim të vazhdueshëm dhe shkarkimet ishin të pashmangshme në këto kuota, përsa kohë që prurjet u rritën ndjeshëm.

Shemsi Prençi: "Ka patur ditë që prurjet në Fierzë kanë qenë 1600 mᶟ"

Qëndrim të kundërt mbajti kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi pas debateve rreth ndihmës që bashkia u ka dhënë këtyre banorëve si dhe për mungesën e planit të menaxhimit të përmbytjeve.

Të pranishëm në mbledhje ishin edhe deputetët demokratë të qarkut, ku Romeo Gurakuqi përveçse kërkoi gjendje emergjence për anën e malit dhe Dajçin, akuzoi dhe KESH-in për babëzi menaxhuese të situatës.

Romeo Gurakuqi: "Situata është për shkak të keqmenaxhimit dhe babëzisë"

Në fund të mbledhjes që zgjati 2 orë e 30 minuta, u ra dakord që, përmes një shkrese të përbashkët, t'i kërkohet Ministrisë së Mbrojtjes shpallja e gjendjes së emergjencës për këto zona

/Ora News.tv/