Qeveria greke ka siguruar të paktën pesë vota të shumëkërkuara për miratimin e marrëveshjes së Prespës në parlament. Partia "To Potami" deklaroi se dy vendet ka ardhur koha që të normalizojnë marrëdhëniet e tendosura prej disa dekadash dhe që Greqia t'i hapë rrugën europiane fqinjit të tyre në veri. Por një qëndrim i tillë duket se nuk ndahet nga opozita politike dhe populli i gjerë, 70 për qind e të cilëve në sondazhet e fundit e kundërshtojnë marrëveshjen Greqi-Maqedoni.

Partia greke "To Potami" me pesë deputetët e saj ka deklaruar se do të votojë pro marrëveshjes së Prespës kur ajo të vijë në seancë plenare.

Në një deklaratë për shtyp, partia saktësoi të premten se vendimi për ratifikimin e akordit me Maqedoninë është marrë në interes të vendit dhe jo i shtyrë nga qeveria në rënie e Aleksis Tsipras.

E themeluar në vitin 2014, partia centriste greke "To Potami" vendosi në mbledhjen e Këshillit të Partisë një ditë më parë se çështjet e lëna pezull mes Greqisë dhe Maqedonisë duhet të marrin zgjidhje përfundimisht, sikurse hapja e rrugës së anëtarësimit të Maqedonisë drejt Evropës.

Qëndrimet rreth marrëveshjes vijojnë të mbajnë të ndarë klasën politike në vend, dhe madje çuan deri në votëbesimin e qeverisë greke të mërkurën në mbrëmje.

Në debatin parlamentar përpara votimit të mocionit, kreu i "demokratëve të rinj" Kirjakos Micotakis apeloi që akordi për emrin e Maqedonisë duhet të shmanget pasi rrezikon të nxitë ambiciet irredentiste për provincën me të njëjtin emër në veri të vendit.

Një sondazh mbarëkombëtar i botuar këtë javë tregoi se bindje të ngjashme duket se ndajnë edhe 70 për qind e popullit grek.

Ndërsa qeveria greke është zotuar se ratifikimi i marrëveshjes do të ndodhë pa nxitim dhe se çdo qytetar grek do të njihet me tekstin e plotë të marrëveshjes nëpërmjet mijëra kopjeve që do të shpërndahen përmes shtypit në fundjavë.

/Ora News.tv/