Mijëra hektarë tokë e qindra banesa mbeten në pushtetin e Ujit në Fier e Vlorë, dy bashkitë me të prekura nga vëshimi i Vjosës. Disa dhjetra familje janë evakuuar, por shifrat zyrtare mungojnë. Kamera e Ora News udhëtoi mes fshatrave të përmbytura, ku banorët vijojnë të përballen me pasojat e vëshimit të Vjosës,  kur ende nuk kanë lënë pas kujtimet e hidhura të dhjetorit të kaluar. Në Novoselë e Ferras lëvizet vetem me cizme, ose mjete të rënda të ushtrisë, të cilat sot u përdoren për të dërguar disa njerëz në një varrim.

Ndërprerja e reshjeve të shiut po ndikon në përmirësimin e situatës në zonat e përmbytura në Fier e Vlorë, por tërheqja e ujit po zbulon pasojat që po lë pas.

Me rreth 4 mijë hektarë tokë dhe mbi 110 banesa nën ujë, përmasat e përmbytjes në Fier janë të ngjashme me atë të fillimdhjetorit.

Ferrasi është fshati më i prekur, ku për të lëvizur duhet të kesh çizme ndërsa për të dalë mjete të rënda.

30 banorëve iu desh ndihma e forcave të ushtrisë për të shkuar në një varrim në fshatin Qarr, pasi rruga kombëtare në hyrje të Levanit është e pakalueshme.

Përmbytja e dytë në muaj, i ka irrituar banorët e fshatit të cilët thonë se tashmë kanë humbur gjithçka kishin, kur ende nuk kishin marrë dëmshpërblimet e vitit të kaluar.

Një kanal i papastruar, sipas tyre është shkaku i situatës që ka detyryar evakuimin e rreth 15 familjeve, ndërsa vëmendja është e gjitha tek hidrovori i Darzezës.

Grupin e xhirimit të Ora News të gjithë e ftojnë në shtëpi, si për të faktuar përmbytjet që kanë lënë Fierin pa ujë dhe fshatrat pa energji.

Zetorët dhe mjetet e ushtrisë janë të vetmit lëvizin edhe në rrugët e Novoselës në Vlorë ku 77 familje janë evakuuar dhe  afro 200 hektarë tokë janë në ujë.

Banorët po nxjerrin ujin nga banesat dhe po evidentojnë dëmet, ndërsa në ndihmë kanë forcat e ushtrisë.

Rreth 150 efektivë nga Forcat e Armatosura janë në terren në fshatrat Levan, Ferras, Novoselë që vijojnë tu vijnë në ndihmë banorëve në cdo lloj situate.

/Ora News.tv/