Portreti i paautorizuar i një tirani: të djeshëm-të sotëm-të nesërm

[Në ditën europiane të përkujtimit të viktimave të komunizmit]

Vladimir NABOKOV

Rritjes së pushtetit, të lavdisë së tij i gjegjej në përfytyrimin tim rritja e masës së dënimit, me të cilën do të doja ta ndëshkoja. Kështu, si fillim, do të kënaqesha me humbjen e tij në zgjedhje, me ftohjen e masave ndaj tij, më pas do të më duhej mbyllja e tij në burg, pak më vonë syrgjynosja në një ishull të dystë me një palmë të vetme, të ngjashme me një yll të zi në krye të një poshtëshënimi, teksa ai përjetësisht zbret drejt ferrit të vetmisë, të turpit, të dobësisë...
Si statistikat, që tregojnë paturpësisht ngjitjen e tij, që e pasqyrojnë numrin e pasuesve të vet në formën e një figurkëze, figurke, figure, që zmadhohet shkallëshkallshëm, urrejtja ime për të, po ashtu si vetë ai me duar të kryqëzuara, u shpërfaq kërcënueshëm mes fushës së shpirtit tim, derisa ende nuk e ka pushtuar thuajse të tërin, duke më lënë veç një qark të hollë, të ndritshëm (që të kujton më shumë rrethin e çmendurisë, sesa kurorën e një martiri); porse unë parashikoj edhe errësimin e tij të plotë.
Portretet e tij të para nëpër gazeta, në vitrinat e shitoreve, ndër pllakate (që po ashtu po shumoheshin në vendin e pasur me rrënime, që përlotej e përgjakej), u shfaqën në kohët e para si të mjegullta...
…Por, kur një njeri i kufizuar, i vrazhdë, gati analfabet, në pamje të parë, një fanatik i klasës së tretë, kurse në të vërtetë një arrogant, një fëlliqësirë e egër dhe e ngrysur, më sëmundjen e gonoresë – kur një njeri i tillë barabitet me Zotin, atëherë zotave u duhet kërkuar falje. Më kot do të rrekeshin tash të më provonin se gjoja në vetvete ai është askushi, se atë e vendosi dhe tash e mban në fronin prej betoni zhvillimi i egër i ideve të errëta, zoologjike, antropofage, zoolandiste, me të cilat u përkëdhel toka ime....
…Me fjalë të tjera, gjithçka përrreth mori trajtën e tij, u bë zakon deri në qesharakshmëri të imitoje të ecurën dhe gjestet e tij; në perimoret u shfaqën, në një masë të jashtëzakonshme, kastravecët me të cilët ai aq unshëm ish ushqyer dikur në rini; në shkolla u fut mësimi i përleshjes cigane të cilën ai, në minutat e rralla të një qartësie të ftohtë; në artikujt e gazetave dhe në librat e beletristëve kinse pasionantë, u shfaq po ai konvulsion ligjërimi, po ai imitim lapidariteti (në thelb i pakuptimtë, sepse çdo frazë e shkurtër dhe e mëshuar, përsërit me avaze të ndryshme po atë idiotësi shtetërore ose po atë të përbashkët, të dystuar nga mëshimi), po ajo forcë fjalësh përgjatë shterpësisë së mendimit dhe gjithë po ato grimasa stili të përvetësuara prej tij…
…Flokët e qethura shkurt i përfundonin mbi ballë me një kep si furçë – që do të thotë, ende nuk ishte parashikuar shoga e tij e sotme prej Qesari. Thonjtë e duarve të mëdha, të lagështa, ishin kaq të ngrënë, sa që ndieje dhembje për mollëzat e dala në fundet e gishtave të neveritshëm. Ai vinte era përç…
…Nganjëherë ai shfaqet në popull – dhe, ndonëse nuk të lejojnë t’i afrohesh pranë dhe secilit i duhet të mbajë listelën e rëndë të flamurit të dhënë, që t’i ketë duart e zëna dhe nga që të gjithë i mbikëqyr një ruajtje e padukshme (pa folur për vëzhguesit dhe vëzhguesit e vëzhguesve)...
...A nuk i begatoi fushat tona, a nuk u mbathën nga përkujdesjet e tij pabukësit, a nuk i detyrohemi atij për çdo sekondë të jetës sonë qytetare?... 
…Unë, “një hije pa kocka” do të jem i gëzuar, nëse fryti i pagjumësive të mia të harruara, do të shërbejë për një kohë të gjatë si një lloj mjeti i fshehtë kundër tiranëve të ardhshëm, tigroidëve, torturuesve gjysmamendsh të njeriut.

Fragment nga tregimi "Shkatërrimi i Tiranëve", përkthyer nga Korab Hoxha

Fotoja 1: Një e çarë e murit te Berlinit që sheh nga zona ndarëse e kontrollit.
Fotoja 2: Fragment i përbërjes së murit të Berlinit.
Fotoja 3: Burgu i Burrelit që duhet të ishte tani muze



EMISIONET