Kryeprokurorja e përgjithshme Arta Marku, gjatë analizës së punës të organit të akuzës në Vlorë kërkoi kokat e peshqeve të mëdhej të trafikut të drogës apo veprimtarive të mëdha kriminale. Rruga sipas saj mund të jetë e gjatë dhe për këtë duhet koordinim mes strukturave të shtetit. ndaj ajo kërkon bashkëpunim mes institucioneve

"Duhet mosngutje në përfundimin e operacioneve të organizuara në luftën kundër drogës, duke vënë në pranga shpesh vetëm konsumatorët, shpërndarësit e vegjël, korrierët apo mjetet e transportit, por bërja e përpjekjeve dhe shfrytëzimi i çdo metode të mundshme ligjore hetimi dhe shfrytëzimi i bashkëpunimit nderkufitar dhe ndërkombëtar, për të mundësuar identifikimin, kapjen me qëllim vënien para drejtësisë të organizatorëve të grupeve kriminale.

Veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve nuk zhvillohet e vetme, pa mundësinë e korruptimit edhe të zyrtarëve publikë, në hallka kyçe të strukturave të shtetit. Kjo, duke nisur që nga përfaqësuesit e pushtetit vendor që ometojnë të sinjalizojnë kur konstatojnë mbjelljen e  bimëve narkotike në territorin e njësisë administrative ashtu edhe të funksionarëve të tjerë, që mund të ofrojnë kundrejt korrupsionit, ndihmën e tyre në hallkat që përbëjnë zinxhirin e trafikimit të lëndëve narkotike."

Forconi bashkepunimin

Marku nënvizoi forcimin e bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë.

"Vlora, tashmë prej kohësh, njihet si një vend prodhues i kanabisit, jo aq i drogave të tjera sintetike, por edhe si një vend i rëndësishëm tranziti për në vendet e Europës, specifikisht favorizuar nga linja e gjatë bregdetare.

Duhet forcim i  bashkëpunimit mes policisë, autoriteteve policore kufitare dhe autoriteteve doganore, me qëllim frenimin e trafikimit, identifikimin, gjetjen dhe vënien para drejtësisë të shkelësve të ligjit.

Duhet koordinim i  veprimeve mes të gjithë aktorëve në luftën kundër narkotikëve dhe shkëmbim i informacionit në kohën e duhur, me shpejtësinë dhe cilësinë e duhur mes tyre.

Jo vetëm kaq duhet mos ngutje me qëllim që në rrjetën e policisë të përfundojnë peshqit e mëdhenj, organizatorët e trafikut të drogës"

Konfiskoni pasurite e krimit

Ndër të tjera Marku ka theksuar se hetimit duhet nisur nga identifikimi i pasurisë në drejtim të gjetjes së burimit, veprimtarisë kriminale.

'Zhvillim të hetimit duke nisur nga identifikimi i pasurisë në drejtim të gjetjes së burimit, veprimtarisë kriminale. Sekuestrim dhe konfiskim i të mirave të personave të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë të bëjnë me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike."

Gjithashtu Marku u ndal dhe në falsifikimin e pronave dhe kërkoi hetim dhe te cdo transaksioni. 

Hetim tregut te hidrokarbureve

Ndërkohë në analizën e punës në Fier, Marku është ndalur në hetimin e tregut të hidrokarbureve.

 "Fshehja e të ardhurave nuk mund të realizohet nga subjektet tregtare pa patur ndihmën dhe bashkëpunimin e nëpunësve të administratës tatimore, të cilët shpeshherë misionin e tyre, atë të mbledhjes së të ardhurave për Buxhetin e Shtetit, e shkëmbejnë me përfitime personale. "

Ndër të tjera Marku ka nënvizuar dhe verifikimin e dokumenteve të pronësisë. Sipas saj duhet të hetohet në origjinë transaksionet e kryera në këto çështje por dhe të shtohen përpjekjet me qëllim parandalimin e transferimit të pronave apo të të mirave të tjera të përftuara.

/Ora News.tv/