Policia ka vënë në pranga autorët e dy ngjarjeve kriminale të ndodhura ditët e fundit në Elbasan dhe në Sarandë ndërsa ka arrestuar në Rinas edhe dy persona në kërkim ndërkombëtar.

Burimet zyrtare njoftuan arrestimin e shtetasit Ilirjan Bezhani, 34 vjeç, banues në Elbasan dhe shpalljen në kërkim të 42-vjeçarit Gent Faqja, që rezulton i dënuar më herët.

Këta dy persona akuzohen për ngjarjen e ndodhur të premten pranë pallatit të sportit të Elbasanit ku pas një konflikti në lokal për çështje borxhi, mbetën të plagosur tre persona.

Sipas policisë, shtetasi Ilirjan Bezhani dyshohet se në bashkëpunim me personin tjetër Gent Faqja pas një konflikti për motive të dobëta kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë në ambientet e brendshme të lokalit dhe kanë plagosur shtetasit Astrit Cerriku e Mihal Kocaqi dhe kanë goditur me sende të forta shtetasin Fejzi Ago, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë Policia e Sarandës njoftoi se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 2 gusht, ku u dogj me benzinë automjeti i një biznesmeni.

Policia ka arrestuar shtetasin Ylli Kola, 25 vjeç, pas hetimeve të kryera në lidhje me djegien e automjetit “Range Rover” në lagjen nr.4, të qytetit. Policia tha se 25-vjeçari nga Tepelena dyshohet se i ka vënë zjarrin me lëndë djegëse automjetit në pronësi të shtetasit Qirjako Gjini për motive të dobëta. 

Në një tjetër njoftim policia bëri të ditur arrestimin në Rinas të dy personave të shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë dhe në Itali. Policia tha se shtetasi me iniciale A.P, 40 vjeç, u arrestua pasi Gjykata e Venecias, Itali, ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Gjithashtu në Rinas është bërë arrestimi provizor i shtetasit nga Kosova me iniciale R.Xh., 39 vjeç. 

Sipas policisë, ky person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK, pasi autoritetet gjyqësore kosovare, kanë lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi".

/Ora News.tv/