Partia Demokratike ka paraqitur sot për publikun një spirale të re për qeverinë Rama, dalja prej së cilës kërkon kohë, menaxhim, stërmundim dhe sidomos kosto ligjore, morale dhe politike. Pas ‘fundosjes’ së ish-ministrit të Brendshëm në ‘qeverinë Rama I’, Saimir Tahiri, opozita ndërmori një tjetër fushatë diskreditimi publik, e cila edhe pse mund të zgjasë, sipas gjasave do të përfundojë në të njëjtën mënyrë.

Rezistenca vetëm sa ia shton kostot shumicës në pushtet. Fatmir Xhafaj duhet të tërhiqet nga detyra dhe t’ja hapë veten hetimeve të pandikura nga pushteti qeveritar. Përpjekja e tij e deritashme për t’u rrëfyer si ‘i ndryshëm’ nga z. Tahiri, një burokrat që e njeh shtetin dhe një socialist fibre, jo purtekë rilindase, ka gjetur rastin të përplotësohet.

Vonesa nuk do të përkthehet në formën e harresës, ngase skena politike është e tillë, e ngarkuar me ngjarje të pritshme dhe llogari të pambyllura politiko-ligjore të së shkuarës.

Këto nuk janë këshilla që vijnë nën prezumimin e ‘një miku që të do të mirën’, dhe për këshilla të tilla nuk nevojitet miqësi, aq sa nevoja publike ngjallur nga retorika e ‘drejtësisë së re’, përputhshëmria me të cilën kërkon që kalorësit e saj t’i zbresin të parët kalit kur vihen para dyshimesh të arsyeshme.

‘Prezumimi i pafajësisë’* është një doktrinë juridike, por edhe një klishe dhe përdorimi prej ambasadores Vlahutin së fundmi nuk e bën më pak të tillë.

Po sikur, për një cast, të flasim për të kundërtën e pafajësisë, fajësinë? Të krijojmë një gjendje të re e cila buron nga detyrimet dhe jo nga të drejtat. Të flasim për ‘prezumim të fajësisë’. Sipas të cilit çdokush me detyrë shtetërore është, jo i pafajshëm, por fajtor, derikur të provohet e kundërta.

Në një kohë të tillë në të cilën gjendet Shqipëria, për të shpjeguar këtë ‘prezumim të fajësisë’, nuk na duhet të mendojmë si ‘skllevër të ligjit’.  Zakoni juridik është, sigurisht, themeltar, por ligji nuk mundet kurrë të kapë dhe të përimtojë traditën, sa të shenjtë, aq edhe laike që konsideron si detyrues kufirin mes të mirës dhe së keqes.

Ligji, jemi dëshmitarë të kësaj, këtu te ne shpesh e ka shkelur me të dyja këmbët këtë kufi moral, shoqëror dhe sakral. Ndoshta e gjitha kjo shpjegon atë hutinë dhe pezullinë e përgjithshme të Shqipërisë. Fatmir Xhafaj mund të bëhet zotëria i parë që pranon të flijohet në altarin e kësaj Dodone të re politike ‘prezumimit të fajësisë’.

Ai është i majtë, sigurisht, dhe bota prej kulturës së majtë e ka gjithë këtë hepim kah të drejtat dhe largim prej detyrimeve. Fakt që në Shqipëri theksohet edhe më shumë në rastin e qeveritarëve, të cilët i lakmojnë postet, jo për detyrimet (të cilat në një vend normal janë më të shumta), por pikërisht se duan më shumë të drejta se të tjerët.

Si në imagjinaren e Oruellit ‘disa janë më të barabartë se të tjerët’.

Për këtë pabarazi që u siguron pushteti, ofiqarët tanë kapen si zgjebja pas lëkurës pas karriges.

Kur i shkruaj këto radhë, edhe unë e prezumoj veten fajtor. I zënë vetë në rrjetën e madhe të fajit që vjen nga dijenia se kësi rreshtash nuk janë për asi burrash.

*Prezumimi i pafajësisë: doktrinë juridike që thotë se një i dyshuar/akuzuar për një vepër penale është I pafajshëm derisa të provohet se ai/ajo është fajtor nëpërmjet një procesi gjyqësor të rregullt dhe transparent.

/Publikuar ne Politiko.al. Titulli origjinal: Prezumimi i pafajësisë? Po sikur z. Xhafaj të ‘bëhet burrë’ e ta prezumojë veten fajtor?!/

/Ora News.tv/