Po grabiten pronat, Tabaku: Pronarët po falin 80 % të vlerës financiare

Po grabiten pronat, Tabaku: Pronarët po falin 80 % të vlerës

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po zbaton projektin për grabitjen e pronave të shqiptarëve. Jorida Tabaku shprehet se ish-pronarët po detyrohen të falin 80 për qind të vlerës së njohur për kompensim, duke marrë vetëm 20  për qind të shumës. Madje ajo theksoi se me propozimin për tu dhënë agjencive shtetërore të drejtën e rishikimit të kufijve po bëhet një tjetër shkelje.

Për Partinë Demokratike përfundimi i vlerësimit financiar të pronave që u ishte njohur më parë kompensimi jo vetëm nuk e zgjidhi por e përkeqësoi situatën e pronave në vendin tonë.

Jorida Tabaku thotë se me ligjin e ndryshuar qytetarët po detyrohen të firmosin kontrata për të hequr dorë nga 80% e vlerës së njohur për të marrë vetëm 20% të vlerës së pronës që ata disponojnë, pasi kanë humbur çdo shpresë.

Tabaku: Realiteti i pronarëve të tokës që enden rrugëve për hakën që u takon, është një thirrje dhe dëshmi e qartë për fasadën e kësaj qeverie. Për këdo është shumë e qartë që një mazhorancë e cila jeton me oksigjenin që i jep krimi i organizuar, nuk mund të mendojë për pronën dhe të drejtën e saj.

Dhënia e të drejtës hipotekave për të korrigjuar kufijtë e pronës shihet prej Tabakut si një tjetër shkelje e rëndë e kushtetutës.

Tabaku: Ligji për Kadastrën që miratuan pak më parë se Presidenti ia ktheu, i jep të drejtën agjencisë shtetërore të ndryshojë kufijtë e pronës, e paprecedentë. Ligji për korporatën e investimeve, grabit pronat private e publike duke krijuar një fond pronash që e vë në dispozicion të oligarkëve dhe e ndan pa asnjë procedurë tenderi, pa asnjë procedurë transparente. VKM 708 për futjen në fondin e pronave të kësaj agjencie të çdo prone publike dhe private, shkel të drejtën kushtetuese të pronës.

Jordia Tabaku, premtoi në emër të Partisë Demokratike, se beteja për të drejtat e pronës dhe pronarëve do të vazhdojë derisa t’u jepet një zgjidhje e plotë dhe përfundimtare.

EMISIONET