Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë  kriminale  në fushën e drogave të forta.

Në pranga është vënë një 45-vjeçar, i cili me motor po e çonte kokainën në doza të vogla tek klientët.

"Në kuadër të operacionit "Klienti" u arrestua  A.H. Ky shtetas në rrugën “Prokop Mima” po lëvizte me motor ku gjatë ndërhyrjes së policisë ka hedhur në tokë dy kartopeceta brenda së cilave  kishte lëndë narkotike e dyshuar llojit Kokainë. Këtë lëndë e kishte bërë gati për t’ua çuar klientëve që e kishin porositur", thotë policia.

Nga kontrolli i banesës ju gjet dhe një sasi tjetër Kokaine, në total 306.2 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

/Ora News.tv/