Pjetër Arbnori "kthehet" në Kuvend, bën bashkë të majtë e të djathtë

Dymbëdhjetë vite pas ndarjes nga kjo jetë, Pjetër Arbnori ose siç njihet ndryshe Mandela i shqiptarëve, është rikthyer sërish në Kuvend.

Ndryshe nga vendimi në këshillin bashkiak që kaloi vetëm me votat e të majtëve, ceremonia e vendosjes së bustit bëri bashkë të majtë e të djathtë, ku ajo që preku më shumë ishte fjala e mbajtuar nga e bija, Justina.

Justina Arbnori: Shpresoj shumë që jeta dhe vepra e tij e tim eti të na frymëzojë të gjithëve ne që ta jetojmë jetën çdo ditë duke besuar në Zot dhe vlera, me dinjitet, pa kopmpromise dhe me sakrificë.

Kryetari i Kuvendit, post të cilin Arbnori e mbajti për disa vite, vlerësoi rolin dhe figurën e Pjetër Arbnorit si njeriu që pavarësisht vuajtjeve që jeta i dhuroi mbeti njeri i dashurisë në drejtimin e parlamentit shqiptar.

Gramoz Ruçi: Me hapin e tij të lehtë e përkshoi këtë shesh i qetë por edhe i trazuar, i gëzuar por edhe i trishtuar, shpresëplotë por edhe i zhgënjyer por kurrë nuk i mungoi atij dashuria për njerëzit.Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur, dinjitoz dhe i respektuar, jeta vuajtjet ja derdhi lumë kurse lumturinë ja dha me kursim, ja dha me vonesë dhe ja mori shumë shpejt. Në drejtim të Kuvendit, Pjetër Arbnori mbeti njeri i dashurisë për njerëzit.

Si një nga miqtë më të ngushtë, ish-deputeti dhe shkrimtari Besnik Mustafaj vlerësoi rolin e Pjetër Arbnorit në politikën shiptare, pa harruar se nëse do të ishte në sallë do të kishte qenë sërish kundërshtar i Gramoz Ruçit.

Besnik Mustafaj: Faleminderit zotni Pjetër që u ktheve në shtëpinë tënde, tani e mbrapa nuk do të na largohesh më. Ky Parlament do të mbetet shtëpia e patjetërsueshme e tij. Ai ishte një burrë i pjekur dhe i ditur, i aftë ta zgjedhë fjalën e duhur. Ishte pajtues, por jo në dëm të së vërtetës.  Këshilla e Pjetër Arbnorit sot për ju deputetë dhe drejtues të partive politike do të kishte qenë. Jepuni mundësinë shqiptarëve të zgjedhin kush do i qeverisë nisur nga programet dhe jo nga individët. Ne e kishim këtu midis nesh, për afro 20 vjet Pjetër Arbnorin, Mandelën shqiptare dhe nuk ditëm ta ngremë në piedestal të gjallë, jo për ti bërë nder atij, por Shqipërisë.  Nëse do ulej në këtë sallë sot, jam i sigurtë se do të ishte sërish kundërshtar politik i Gramoz Ruçit. Por ai prapë për këtë bust do ta falënderonte pa ngurrim.

Në ceremoni morën pjesë eksponentë të rëndësishëm të dy partive PD-PS dhe kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Në ceremoni ka rënë në sy prania e ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli e cila prej kohësh nuk shkel në PD dhe ish-Ministri Genc Ruli.



 

EMISIONET