Policia e Tiranës shkatërron një grup kriminal i cili shpërndante lëndë narkotike në kryeqytet.

Operacion policor i koduar “Pizza Porosi” çoi në pranga tre shtetas të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin kokainë.

Të arrestuarit janë:

- Gersi Çeça, 28 vjeç, banues në Tiranë

- Renaldo Dalipi, 25 vjeç, banues në Tiranë

- Albian Avdo, 27 vjeç, banues në Tiranë

Shpërndarja kryhej me motor, të arrestuarit punonjës picerie

Policia thotë se kishte informacion se tre të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike të llojit Kokainë në zona të ndryshme të Tiranës dhe për të shmangur kontrollet e Policisë shpërndarjen e lëndës narkotike e kryenin me motorrin e picerisë ku punonin. 

"Nga Seksioni kundër Narkotikëve është orgnizuar puna për kapjen e tyre në flagrancë dhe më datë 11.07.2018, shtetasi Renaldo Dalipi është konstatuar duke lëvizur në rrugën “Gani Domi” me mjetin tip “Audi” dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë i është gjetur një qese me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë".

Gjithashtu është ushtruar kontroll në picerinë ku të tre këta shtetas punonin ku dhe u bë ndalimi i dy bashkëpunëtorëve të tjerë (shtetasve Gersi Çeça dhe Albian Avdo).

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë,  një automjet tip “Audi”, motori i picerisë, tre aparate celularë dhe fishekë.

 Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municioneve” parashikuara nga nenet 283/2 dhe 278/2, të Kodit Penal.

 

/Ora News.tv/