Piktura e Da Vinci-t thyen rekord, shitet për 450 milionë dollarë

Piktura e Da Vinci-t thyen rekord, shitet për 450 milionë dollarë

Një pikturë 500-vjeçare e Krishtit, që besohet se është realizuar nga Leonardo da Vinci, është shitur për shifrën rekord të 450 milionë dollarëve. Piktura njihet me emrin Salvator Mundi ose Shpëtimtari i Botës dhe sipas shtëpisë së ankandeve Christie's, është shitur për çmimin më të lartë ndonjëherë në një ankand për vepra të tilla. Besohet që piktura të jetë realizuar në vitin 1505, 14 vite përpara se Leonardo da Vinci të ndahej nga jeta.

Piktura tregon Krishtin me një dorë të ngritur, ndërkohë që në tjetrën mban një sferë xhami. Në vitin 1958, piktura u shit në një ankand në Londër vetëm për 60 dollarë, pasi atëherë besohej se nuk ishte një punim i vetë Leonardos, por i një ndjekësi të tij. Madje edhe sot, nuk është universalisht e pranuar që da Vinci është krijuesi i këtij punimi.

Salvator Mundi është tashmë nën zotërimin e një blerësi anonim, i cili mori pjesë në këtë ankand përmes telefonit. Çmimi përfundimtar për veprën ishte 400 milionë dollarë, ndërkohë që tarifat e çojnë vlerën përfundimtare në 450.3 milionë dollarë. Kjo pikturë mendohet të jetë e vetmja ndër 20 punimet ekzistuese të da Vinci-t që ndodhet tashmë në duart e një blerësi privat.

/Oranews.tv/

EMISIONET