Sherri në Fier ku u plagosën pesë persona nisi mes dy familjeve në Levan, familjes Zhapaj dhe Braçe. Më  pas konflikti vazhdoi edhe në ambientet e Urgjencës së Spitalit, ku një prej autorëve i mori armën efektivit të patrullës dhe qëlloi mbi një person. 

Policia sqaron se gjithsej janë plagosur 5 persona, dy me sende të forta, dy me mjete prerës, ndërsa njëri me armë zjarri. 

Dy vëllezërit Gentian Zhapaj dhe Aldi Zhapaj janë plagosur me sende të forta dhe janë në pavionin e kirurgjisë. Ndërsa dy të plagosurit e tjerë me mjete prerëse janë Klajdi Lamaj dhe Erlind Muçaj.

Po ashtu nga ky konflikt ka mbetur i plagosur edhe Aleksandër Zhapaj (babai i Gentian Zhapës). Aleksandër Zhapaj u plagos në ambientet e brendshme të spitalit Rajonal të Fierit, ku njëri prej shoqëruesve të të dëmtuarve  i ka marrë armën nga brezi një efektivi të patrullës dhe ka qëlluar mbi Aleksandër Zhapën, babain e dy vëllezër të plagosur më herët në Levan. 

Pasojat e ngjarjes janë të dukshme edhe në muret e urgjencës.

Të plagosurit me sende të forta

Gentjan Zhapaj
Aldi Zhapaj

Të plagosur me thikë

Klajdi Lamaj
Erlind Muçaj 

I plagosur me armë zjarri

Aleksander Zhapaj

Ky i fundit u plagos me armë zjarr nga, një prej shoqërueseve të të dëmtuarve i cili i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë dhe ka qëlluar.

Policia bllokoi hyrjen e spitalit-Pas asaj që ndodhi në korridoret e spitalit, forca të shumta policie bllokuan edhe hyrjen e spitalit, duke ndaluar edhe hyrjen e familjarëve. Menjëherë në spitalin e Fierit ka mbërritur edhe zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj.

Pesë të arrestuar- Për këtë ngjarje u vunë në pranga 5 persona. Daniel Braçe, 21 vjeç dhe Gazmend Braçe, 22 vjeç, të dy banues ne Levan akuzohen për veprat penale "Vrasje me dashje mbetur në tentativë" e "Goditje për shkak detyrës të punonjësit të rendit publik". Shtetasi Daniel Brace, dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri, i cili është kapur dhe arrestuar në orët e para të mëngjesit të së dielës. Po ashtu u arrestuan për "Vrasje me dashje mbetur në tentativë" , "Mbajtje pa leje e armëve të ftoha" edhe babë e bir, Aleksander Zhapaj 51 vje dhe Aldi Zhapaj, 22 vjeç, banues në Ferras, Fier si dhe një tjetër shtetas me iniciale E. K., 32 vjeç, banues në Vlorë.

Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i një arme gjahu, dy mjeteve prerës dhe tre automjeteve.

Sa i përket gjendjes së të plagosurve në spitalin e Fierit mjekët thonë se janë jashtë rrezikut për jetën.

"Në spitalin e Fierit kemi 5 persona, dy janë në reanimacion dhe tre persona të tjerë janë në pavion jashtë rrezikut. Njëri nga pacientët ka bërë operacion, pacienti tjetër kishte një plagë shpuese, personi i plagosur me armë zjarri kishte dy plagë në kyçin e dorës dhe në shpatull, pa qenë plumbi prezent brenda dhe dy persona të tjerë të rrahuar me trauma sipërfaqësore. Ne kemi reaguar menjëherë. Për gjithë pacientët i është kryer ekzaminimi", u shpreh mjeku për mediat.

Drejtori i Policisë, Andon Marko: Personat që kanë qenë pjesë e sherrit janë të identifikuar. Në momentin që personat e dëmtuar kanë ardhur në spitalin e Fierit ka ndodhur një incident, ku policit të patrullës i kanë marrë armën nga brezi dhe ka qëlluar.

Po verifikohen veprimet e policisë -"Për hetimin e kësaj ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale. Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e punonjësve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit", u shpreh policia.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

/Ora News.tv/