Sulm terrorist në një kishë në Rusi, vriten 5 gra

Sulm terrorist në një kishë në Rusi, vriten 5 gra

Një agresor ka hapur zjarr ndaj një kishe në rajonin e Dagestanit në Rusi, duke i marrë jetën pesë personave dhe duke plagosur pesë të tjerë. Grupi i Shtetit Islamik mori përsipër sulmin në këtë rajon, që njihet për paqëndrueshmërinë dhe episode të tilla.

Pesë gra kanë mbetur të vrara pas të shtënave në një kishë në republikën e Dagestanit në Rusi.

 Pesë persona të tjerë, përfshi këtu një oficer policie dhe një roje kombëtare, kanë mbetur të plagosur në këtë incident, teksa zyrtarët deklarojnë se dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Ngjarja u regjistrua ditën e dielë, kur një person hapi zjarr ndaj një kishe në qytetin Kizlyar, ndërkohë që besimtarët merrnin pjesë në lutjet e mesditës.

Agresori është qëlluar për vdekje në vendngjarje dhe më vonë ai është identifikuar si 22-vjeçari Khalil Khalilov, një banor i republikës së paqëndrueshme të Dagestanit.

Sulmi u mor përsipër nga Shteti Islamik, edhe pse nuk u dha menjëherë një provë që të vërtetonte këtë pretendim.

Por sipas raportimeve nga persona të pranishëm gjatë sulmit, Khalilov ka thërritur “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi), teksa mësynte ndaj kishës. Grupi terrorist ka vepruar në këtë zonë përmes të ashtuquajturës “Provinca e Kaukazit”, një degëzim zyrtar i ISIS i themeluar në vitin 2015. Që prej asaj kohe, kjo degë ka marrë përsipër një sërë sulmesh vdekjeprurëse kundër personelit të sigurisë në zonë.

Dagestani, i ndodhur në Kaukazin e Veriut, është një republikë etnike e larmishme, me një popullsi kryesisht muslimane.

Në vitet e fundit, rajoni është prekur nga dhuna mes radikalëve islamikë dhe forcave të sigurisë.

EMISIONET