Fshatra të izoluar, rrugë e ura të dëmtuara janë vetëm disa nga pasojat e rreshjeve intensive të dëborës dhe shiut. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se rreth 1920 banorë në fshatrat e Kukësit dhe Tropojës kanë mbetur të bllokuar. Lartësia e dëborës ka arritur deri në 50 cm ndërsa në Njësinë Administrative Tropojë e vjetër dhe Lekbibaj ka pasur mungesë së energjisë elektrike.

Në Shkodër disa prej akseve vijojnë të jenë të paqarkullueshme ndërsa në Njësinë Administrative Ana Malit janë përmbytur rreth 300 ha tokë. Prezencë uji ka edhe në fshatin Obot ndërsa rrezikohet ujësjellësi në Oblikë.

Në Dibër rrezikon rrëshqitjen një banesë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve të shiut. Bashkia ka marrë masa duke evakuar familjen. Ndërkohë në Xibër rreth 30 familje ndodhen të bllokuara për shkak të rreshjeve të dëborës.

Në Lezhë është shembur ura që bashkon fshatin Mabe me fshatin Barbullush. Më problematike situata mbetet në Njësinë Adminsitrative Fan, Selitë dhe Orosh ku nga dëbora janë izoluar rreth 50 familje. (tabelë rrugët e bllokuara)

Rrëshqitje masive të tokës ka pasur edhe në Elbasan në fshatin Cerrujë ku rrezikohen disa banesa. Ndërkohë rreth 500 familje në Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Përrenjas ndodhen të izoluara si pasoje e reshjeve intensive të dëborës.

Qarku Lezhë. Akse rrugore të bllokuara janë:

Akset rrugore  Klos-Xhuxhë, Klos-Konaj, Klos-Sang në Njësinë Administrative Fan;

Akset rrugore Reps-Nënshejt, Reps-Lajthizë në Njësinë Administrative Orosh.

Me mjetet që disponon bashkia ka filluar ndërhyrja në të gjitha rrugët e territorit të bashkisë për lidhjen e Njësive Administrative me fshatrat.

Dëmtime në infrastrukturë: Është shembur ura që bashkon fshatin Mabe të bashkisë Lezhë me fshatin Barbullush të bashkisë Vau Dejës. Ura ndodhet rreth 100m në largësi të fshatit Barbullush.

Prefekti i qarkut Lezhë inspektoi urën e dëmtuar dhe u morën masat duke angazhuar dy patrulla të drejtorive të policisë Lezhë e Shkodër, duke siguruar dhe bllokuar të dy anët e urës se shembur, për të evituar ndonjë ngjarje me pasoja në jetë njerëzore.

Aktualisht nga reshjet e dëborës në të gjithë qarkun janë të izoluara nga dëbora rreth 50 familje kryesisht në Njësitë Administrative Fan, Selitë dhe Orosh.

Qarku Elbasan

Në fshatin Cerrujë të bashkisë Elbasan, ka pasur një rrëshqitje masive toke. Kjo ka bërë që të rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje po shkojnë specialistë të bashkisë Elbasan për të parë nga afër situatën.

Hidrocentrali i banjës ka filluar shkarkimet me 300 m3 për mbajtjen në nivel normal të rezervuarit.

Aktualisht numri i familjeve të bllokuara nga dëbora është:

- 80 familje në bashkinë Elbasan (20 familje në fshatin Benë dhe 60 familje në Lukaxhi).

- 125 familje në bashkinë Librazhd (40 familje fshati Neshtë, 20 fshati Rinas, 20 fshati Ballgjin, 15 familje Stëblevë, 30 familje Qarishtë).

- 175 familje në bashkinë Gramsh (50 familje në fshatin Grabovë e Sipërme, 60 familje në fshatin Holte dhe 65 familje në fshatin Gjerë).

- 100 familje në bashkinë Përrenjas, të cilat janë në Njësinë Administrative Sravan.

/Ora News.tv/