Përkeqësohet klima e biznesit, FMN: Veprim urgjent për të kufizuar borxhet

Përkeqësohet klima e biznesit, FMN: Veprim urgjent për të

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë marrjen e masave të menjëhershme për të përmirësuar klimën e të bërit biznes. Në raportin e fundit të monitorimit theksohet se duhet  veprim urgjent për të kufizuar borxhet e sektorit publik.Deri në muajin prill qeveria ka një borxh prej 14.9 mld lekësh TVSH të vonuar ndaj biznesit, ndërsa ka premtuar shlyerjen brenda korrikut. Gjithashtu FMN ka kërkuar që të rishikohet skema e futjes në TVSH  të biznesit të vogël pasi e konsideron jo-efektive.

Klima e të bërit biznes në Shqipëri është një ndër shqetësimet kryesore që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konstatuar në Shqipëri.

Në raportin e publikuar së fundmi theksohet se qeveria duhet të marrë masa urgjente për të përmirësuar situatën.

Sipas ekspertëve të FMN-së, tashmë nevojitet një veprim i menjëhershëm për të ulur borxhet e vazhdueshme në sektorin publik të cilat dëmtojnë klimën e të bërit biznes.

Stafi i bëri thirrje autoriteteve të sigurojnë pagesa të plota dhe të pjesshme të gjitha kërkesave të reja të rimbursimit të TVSH-së.

Misioni thekson ndër të tjera se është e rëndësishme të ndërmerren masa për të forcuar kontrollet për projektet e investimeve për t'i dhënë fund pagesave të prapambetura të qeverisë, sidomos nga fondi rrugor.

Sipa të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, deri në muajin prill të këtij viti rezulton se stoku i borxheve gjatë prillit është 14.9 mld lekë, ndërsa është premtuar se brenda korrikut qeveria do të zerojë këto detyrime.

Ndër të tjera Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë përsëriti edhe njëherë kostot shtesë të administratës dhe biznesit të vogël nga përfshirja në skemën e  Tatimit mbi Vlerën e Shtuar vitin e kaluar.

Tregtarët shprehen se TVSH e vendosur ndaj tyre, është kthyer në një kosto të papërballueshme pasi fuqia blerëse ka rënë, duke detyruar shumë familje të mbyllin biznesin e të tjera të jenë në luftë për mbijetesë.

"Janë shumë të larta taksat në lidhje me këtë lloj biznesi, besoj me të gjithë bizneset, jo vetëm me ne. Çmimi ka rënë, kuptohet sa probleme krijon. Nuk mund të hapësh një biznes, këtu është e pamundur. Jo vetëm biznesi, por edhe jetesa këtu është e pamundur."

"Ka ndikuar dhe largimi i njerëzve, por edhe shumica e njerëzve këtu pa punë është. Nuk e përballojmë dot, me zor të madh shumë."

Në prill të 2018-ës qeveria shqiptare futi në TVSH-së 13 mijë biznese të vogla, duke ulur pragun për regjistrimin në këtë skemë për bizneset me xhiro vjetore nga 5 mln në 2 mln lekë.



EMISIONET