Editoriali nga Arena në Ora News/ Dosja Dako dhe historia e përgjimeve në Shqipëri

Editoriali nga Arena në Ora News/ Dosja Dako dhe historia e përgjimeve

Ndërsa çështja Tahiri dhe përgjimet ndaj vëllezërve Habilaj janë ende në proces, opozita shqiptare ka hedhur një bombë tjetër: Sipas saj ekzistojnë përgjime mes Vangjush Dakos dhe kriminelëve për tendera në shkëmbim të votave. Është traileri i trillerit  politik të radhës që ka hedhur në treg Partia Demokratike.

Publiku shqiptar është në pritje. Vangjush Dako nuk e ka për herë të parë që akuzohet. Përveç përfaljes për klientelizëm ai është akuzuar edhe për favorizim të njerëzve të dënuar nga drejtësia, siç ishte rasti i Lulzim Berishës.

 Nëse do të ishte e vërtetë, qeveria Rama do të ishte realisht në vështirësi të madhe. Pasi favorizimi në ndarjen e fondeve publike për shqiptarët është një traditë tashmë e konsoliduar por në vendet fqinjë cilësohet si veprimtari e stilit mafioz. Në këtë rast Ramës nuk do ti bënin punë as numrat që ka në parlament dhe as dobësia e opozitës.

Historia jonë e afërt ka njohur raste ku mazhoranca ka qenë më e madhe dhe opozita më e shkërmoqur e megjithatë qeveria ka rënë. Në vitin 1997 Berisha edhe pse u zgjodh president, edhe pse kishte një supermaxhorancë në parlament, edhe pse socialistët ishin më dobët se kurrë dhe me kryetarin në burg, nuk ia doli të ndalonte kaosin. E paralajmëron edhe LSI këtë skenar. 

Ndoshta pak si i ekzagjeruar parashikimi i saj, por gjithsesi vështirë të mendohet se Rama ka lepuj të tjerë në kapele që të hutojë shqiptarët nëse sa thonë kundërshtarët është e vërtetë.

Ndërkohë në krahun tjetër Vangjush Dako i hedh akuzuesve shaminë e sfidës duke kërkuar ballafaqim. Ngjan i sigurt në pastërtinë e vetes. Në fakt është njeriu që pavarësisht profilit publik të butë, ka ditur të mundë kundërshtarë të fortë qoftë në aleancë qoftë i vetëm. 

Në zgjedhjet e fundit, edhe një personazh si Agron Duka që ka fituar sa herë ka dashur në zonën e Durrësit dhe në krushqi me vëllezërit Koka, deklaroi se ishte e pamundur të përballohej makineria elektorale e Vangjush Dakos.

Megjithatë ngjan se opozita ka shpresa të mëdha tek përgjimet. Skandale që lidhen me ato që shqiptarët i quajnë çimka, kanë rrëzuar presidentë amerikanë. Riçard Nikson e pësoi nga një aferë përgjimi, pavarësisht se rasti kishte të bënte me një përgjim të urdhëruar prej tij. Por thelbi moral është i njëjtë.

Dy vjet më parë, përgjime të paligjshme të zbuluara nga LDSM në Maqedoni, sollën rrëzimin e Nikolla Gruevskit. Gruevski ishte i freskët në fitoren e një mandati të tretë dhe me maxhorancë të konsoliduar, por nuk ia doli ta përballonte skandalin. U deshën demonstrata dhe protesta të gjata, por edhe pse fitoi zgjedhjet, edhe pse rritja ekonomike e Maqedonisë ishte mbresëlënëse, lideri i nacionalistëve nuk ia doli të qeveriste dhe u dorëzua.

Ndërkohë në Shqipëri, opozita ka shpresa në përsëritjen e të njëjtit skenar. Nëse ajo ka vërtetë regjistrime të Vangjush Dakos me kriminelë, atëherë mbajtja në këmbë e qeverisë Rama do të jetë shumë e vështirë. Se cili do të jetë mekanizmi juridik me të cilin do të rrëzohet një mazhorance që ka 78 vota në parlament mbetet për t’u parë. Një ndër faktorët që e ka mbajtur Ramën në pushtet nuk kanë qenë arritjet e tij, por mungesa e një alternative opozitare të besueshme. Por nëse skandali me Vangjush Dakon është i vërtetë, dhe nëse shkohet në votime vështirë se shqiptarët do mendohen se cili vjen pas Ramës.

Ndërkohë opozita ka probleme të mëdha me besueshmërinë. Këtu nuk bëhet fjalë për eklektizmin e saj politik të vitit të fundit ku në një hark kohor 10 mujor, kemi parë një opozitë herë të fjetur, pastaj radikale dhe në fund të pakuptueshme në objektivin e saj. Pa harruar çorganizimin organizativ dhe mungesën e standardeve brenda vetë partisë. Bëhet fjalë për kauzat që hedh. Dhe kjo nuk ka lidhje me qytetarin dixhital që lëshon nga dy vezë përditë pa u menduar në janë të freskëta apo kllukë. Por për teza në të cilat është investuar.

 Shqiptarët ende e mbajnë mend deklaratën në kohën e çadrës për 1.500 kontenierë me plehra që ishin nisur nga porti italian i Xhoia Tauros, për t’u groposur në Shqipëri. Në fund dolën se ishin tubat e gazsjellësit TAP që vinin në zbatim të një investimi që e kishte firmosur pikërisht Berisha. Dhe nëse përgjimet për Dakon rezultojnë fiasko, atëherë e gjithë kjo situatë shpërthyese mund të kthehet në favor të Edi Ramës

 Ndërsa për opozitën në një krisje të re në besueshmërinë dhe seriozitetin e saj. Sepse shqiptarët nuk mund të presin që punën e opozitës ta bëjnë hetuesit italianë, ndërsa estradën ta bëjë opozita. Jo për gjë, po Edi Rama është shumë më i mirë se ata në të tilla spektakle.

EMISIONET