Shtatori është muaji i rikthimit në bankat e shkollës, por për prindërit është muaji i shpenzimeve. Siç tradita e do, çdo gje duke nisur nga veshjet e mjetet shkollore duhen të reja. Për Amelën 11 vjeçare, e cila këtë vit nis klasën e 5 është kujdesur xhaxhai i saj.

Librat tashmë i ka blerë dhe pak ditë para nisjes së shkollës po bën përgatitjet e fundit, ndërsa tregon edhe detyrat që i ka vendosur vetes për këtë vit të ri.

Amela: "Sot kam blerë çantën e shkollës, portofolin dhe disa lapsa me ngjyra. Këtë vit e kam vendosur që të mësoj me shumë, do merrem edhe me baletin që e kam pasion".

Por sa kushton përgatitja për shkollë? Ne u interesuam në tregjet e kryeqytetit dhe duke marrë çmimin mesatar të cdo produkti, arrijme në konkluzionin se për një fëmijë, prindërit duhet të shpenzojnë rreth 15 mijë lëkë të reja.

Por pavarësisht shpenzimeve, Edmondi xhaxhai i Ameles thotë se për arsimimin ia vlen të harxhohet cdo kursim

Xhaxhai i Amelës: Ia vlen të shpenzosh për të. Shpenzimet kanë shkuar 15 mijë lekë të reja, por vlera e fëmijëve nuk krahasohet me asnjë vlerë tjetër. 

Nisja e vitit të ri shkollor rëndon më tepër xhepat e familjeve që kanë disa fëmijë, por ndryshe nga më parë, këtë vit librat për nxënësit nga klasa e parë në të katërtën janë falas, c’ka përkthehet ne para të kursyera në buxhetin familjar.

/Ora News.tv/