Përfundon skanimi i projekteve të Hidrocentraleve, të cilat ende nuk kanë filluar punë. Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës e mbylli këtë proces pas 4 muajve, ndërsa ka paraqitur vetëm shifra por pa dhënë detaje për zonat.

Pas katër muajsh, Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës ka mbyllur procesin e skanimit të HECE-ve. Zv.ministri i Energjetikës, Hantin Bonati, në një deklaratë të shkurtër i ndau në tre tipologji problematikat e konstatuara.

Hantin Bonati: "Përfundoi procesi i vlerësimit të ecurisë dhe zbatimit të kontratave të nënshkruara që nuk kanë filluar procesin e operimit. Për efekt transparence, gjetjet e këtij procesi po i pasqyrojmë duke i grupuar në tre tipologji të ngjashme situatash, si në vijim: Në tipologjinë e parë janë përfshirë praktikat, subjektet e të cilave janë ende brenda afateve kontraktuale për të vënë në funksion veprën. Në tipologjinë e parë përfshihen: 44 kontrata koncesionare për ndërtimin e 92 HEC-eve; 57 kontrata objekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015, për ndërtimin e 61 HEC-eve.”

Për 80 HEC-e, Ministria deklaron se do të ndërpresë kontratën në mënyrë të njëanshme duke ju referuar shkeljeve të neneve të saj dhe sipas procedurës ligjore të parashikuar.

Hantin Bonati: “Në këtë grupim përfshihen 27 kontrata koncesionare për ndërtimin e 80 HEC-eve. Për të gjithë këto praktika nga ana jonë do të vijohet me procesin e komunikimit me subjektin për ndërprerjen e kontratës në mënyrë të njëanshme duke ju referuar shkeljeve të neneve të saj dhe sipas procedurës ligjore të parashikuar. Sikurse theksuar në çdo komunikim publik, procedura që do ndiqet nga strukturat teknike dhe ligjore, nga njoftimi i fillimit të procedurës, deri në ndërprerjen e njëanshme të kontratës, do të jetë shumë e kujdesshme për të minimizuar çdo risk financiar që mund t’i shkaktohet buxhetit të shtetit”.

Bizneset e huaja, por edhe ato shqiptare u alarmuan nga ky vendim i Ministres, Belinda Balluku, pasi të gjitha lejet e marra prej tyre ishin në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar.

Megjithatë edhe këtë radhë, Ministria është mjaftuar me shifra dhe pa asnjë të dhënë shtesë.

/Ora News.tv/