Vendimi për të përfshirë në skemën e TVSH-së që prej 1 prillit edhe bizneset mbi 2 mln lekë ka detyruar subjektet të ndryshojnë status ose të mbyllin aktivitetin për ti shpëtuar kësaj takse. Për të parandaluar këtë fenomen tatimet kanë paralajmëruar se masat ndëshkuese do të jenë të rënda.Sipas të dhënave, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti rreth 2500 biznese kanë kaluar në status pasiv.

Përfshirja  e bizneseve  që kanë një xhiro mbi 2 mln lekë në TVSH që prej 1 prillit ka nxitur këto të fundit që të  gjejnë mënyra për ti shpëtuar përfshirjes në këtë skemë.

Sipas drejtorisë së Përgjithshme të  Tatimeve gjatë këtij viti është  konstatuar një shtim i numrit të aplikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit .

Sipas administratës tatimore, abuzime të shumta janë konstatuar sidomos nga subjektet që përfshihen për herë të parë në TVSH të cilat kanë kërkuar mbyllje dhe e kanë hapur aktivitetin në emër të të afërmve.

Drejtoria e Tatimeve paralajmëron se një shkelje e tillë nuk do të tolerohet dhe do të ndëshkohet dhe biznesit të ri do t’i ngarkohen edhe detyrimet tatimore që mund të ketë patur biznesi i mëparshëm, jo vetëm për taksat e papaguara, por edhe gjobat.

Paketa fiskale 2018 e cila ka hyrë në fuqi nga 1 janari, parashikon përfshirje në skemën e TVSH-së  9600 biznese me xhiro mbi 2 milionë lekë një vendim që është kundërshtuar nga biznesi i vogël.

Sipas të dhënave, rezulton se vetëm gjatë muajit janar në vend janë mbyllur rreth 50% më shumë biznese në krahasim me një vit më parë, ndërsa në dy muaj janë rreth 2500 subjekte që kanë kaluar në status pasiv.

/Ora News.tv/