Arkëtimet në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve gjatë 2017 kanë pësuar një ulje me 168 milion lekë në krahasim me një vit më parë ndërsa problem mbetet edhe uji i pafaturuar. Kryetari i ERRU gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese bëri me dije se ulja e arkëtimeve ka ardhur si rezultat i situatës zgjedhore dhe shthurjes së institucioneve.Ndërkohë në lidhje me rritjen e çmimit të ujit në Tiranë, kreu i ERRU sqaroi se vendimi është marrë duke vlerësuar nevojat e mëdha për investime.

Gjatë vitit 2017, shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë arkëtuar 168 milionë lekë më pak se një vit më parë.

Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani, tha se kjo situatë ka ardhur e ndikuar prej faktit se 2017 ishte vit elektoral por edhe prej ristrukturimit të ndërmarrjeve si rezultat i reformës territoriale.

Ndriçim Shani: U duk sikur i mëshova shumë asaj pjesë elektorale, mund të ketë, mund të mos ketë. Menduam që është një faktor. Faktor tjetër është dhe reforma, 24 ndërmarrje janë ristrukturuar. Kanë futur në zonën e vet shërbimin e gjithë zonës rurale, zona rurale është ajo që është, ne e dimë.

Vetëm një ditë para se të startojë aksioni për reformën e ujit për familjarët,  kreu i ERRU e vlerësoi këtë nismë për të përmirësuar gjendjen e Ujësjellësave si dhe tha se tarifimi i puseve është i domosdoshëm për të pasur më shumë kontroll mbi ujin që përdoret.

Ndriçim Shani: Duhet patjetër të jenë të kontrolluara. Problemet që mund të sjellin nga mos kontrollimi i hapjes së puseve për përdorim familjar apo edhe për përdorim biznesi po që po.

Referuar rritje së çmimit të ujit në kryeqytet, kreu i ERRU tha se tarifa ishte e fortë por e justifikuar me nevojën për më shumë investime.

Ndriçim Shani: Për rritjen e cilësisë së shërbimit, edhe si kryeqytet që është me 1 milion banorë, ka nevoja të jashtëzakonshme për investime.

Si rezultat i reformës, vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti janë arkëtuar rreth 227 milion lekë dhe janë verifikuar mbi 20 mijë biznese.

/Ora News.tv/