Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar dëme të frikshme me fondet publike gjatë 2018. Në raportin vjetor është konstatuar se dëmi kap nivelin e 1.7 mld eurove, të krijuara si rezultat i mungesës së të ardhurave të planifikuara dhe shpenzimeve të larta. Po ashtu sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit edhe borxhi publik rezulton të jetë mbi 71%  nëse përfshijmë aty edhe detyrimet e prapambetura. një tjetër shqetësim është mungesa e monitorimit të projekteve partneritet publik-privat.

1.7 mld euro është dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2018. Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin përfundimtar të performancës së qeverisë në vitin e shkuar konstaton një shifër të frikshme me keqmenaxhimin e taksave të qytetarëve të cilat kanë ardhur  si nga shpenzimet jo me efiçencë, po ashtu edhe nga mos mbledhja e të ardhurave të planifikuara.

Pas konstatimeve, KLSH ka depozituar në prokurori 41 kallëzime me të cilat janë ngarkuar me përgjegjësi penale 112 persona nga të cilët: 33 titullarë institucionesh.

Veprat kryesore penale për të cilat akuzohen këta persona janë “Shpërdorimi i detyrës”dhe  “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Një tjetër vërejtje është bërë edhe mbi borxhin publik. Pas auditeve është arritur në përfundimin se niveli i borxhit publik është më i lartë se 71% nëse përfshijmë në të edhe detyrimet e prapambetura.

Po ashtu si shqetësim ngrihet mungesa e theksuar e monitorimit të portofolit të PPP-ve ekzistuese dhe efekti i pritshëm mbi treguesit fiskalë.

Referuar të dhënave aktuale në lidhje me 11 kontratat koncensionare rezulton se shpenzimet faktike nga buxheti i shtetit rezultojnë në shumën 6,4 mld lekë.  

Gjatë vitit 2018 auditimet janë shtrirë në institucione qendrore, ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre, drejtoritë e përgjithshme dhe degët e tatimeve dhe doganave si dhe shoqërive aksionere me kapital shtetëror,  si dhe në njësi të vetëqeverisjes vendore  (bashki, komuna dhe qarqe) dhe duke e mbyllur me auditimin e projekteve me financim të huaj. KLSH ka realizuar 171 auditime.

/Ora News.tv/